Ministri Bytyqi nënshkroi Udhëzimin që i mban në punë mijëra mësimdhënës

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka nënshkruar një Udhëzimin që i mban në punë mijëra mësimdhënës.

“Me qëllim të informimit të drejtë për opinionin e gjerë, ditëve të fundit kemi pranuar disa shqetësime nga mësimdhënësit, por edhe vet Drejtoritë Komunale të Arsimit, në lidhje me UA e vjetër nr. 06/2015, ku në bazë të Nenit 11, thuhej se pas përfundimit të vitit shkollor 2017/18, shpallen konkurset për të gjithë mësimdhënësit që janë të punësuar në arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë, të cilët nuk i plotësojnë kriteret sipas këtij UA”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

Me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi, që deri këtu ka ardhur jo për fajin e kandidatëve që duhej të kualifikoheshin dhe avancoheshin, por për fajin që kjo reformë ka ngecur në proces, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, përmes grupit të punës ka kërkuar të rishikohet UA në fjalë, dhe pas rishikimit ka nënshkruar UDHËZIMIN ADMINISTRATIV (MASHT) NR. 10/ 2018 PËR NORMATIVIN MBI KUADRIN PROFESIONAL TË ARSIMIT TË PËRGJITHSHËM.

Gjithnjë, në bazë të këtij UA nr. 10/2018, institucionet edukative dhe arsimore gjatë publikimit  të konkurseve për vendet e lira të punës janë të obliguara të kërkojnë kuadro sipas këtij UA.

Ky UA rregullon edhe shpalljen e vendeve të lira të punës, ku më saktë janë të specifikuara në tekstin e mëposhtëm;

Mësimdhënësit, të cilët janë në marrëdhënie pune në institucionet e arsimit parauniversitar me gradë kualifikimi baçelor trevjeçar  me 180 ECTS që kanë më shumë se 6 vjet përvojë pune në arsim dhe që kanë licencë të mësimdhënësit, e vazhdojnë punën në profesionin e tyre deri në përfundimin e vitit shkollor 2020-2021.

Pas përfundimit të vitit shkollor 2020/21, shpallen konkurset për të gjithë mësimdhënësit që janë të punësuar në arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë, të cilët nuk i plotësojnë kriteret sipas këtij UA.

Të gjithë të kualifikuarit në njësitë akademike që kanë përfunduar master arsimor me 300 ECTS, kanë të drejtë konkurrimi në arsimin parauniversitar të paraparë në nenin 5 dhe 6 të këtij UA.

Pedagogët që janë me 180 ECTS në marrëdhënie pune si edukatorë dhe mësues klase, e vazhdojnë punën deri në përfundim të vitit shkollor 2020/21, me qëllim që brenda kësaj periudhe të përfundojnë programin e avancimit.

Me hyrjen në fuqi të këtij UA, është shfuqizuar UA Nr. 06/2015 – Normativi mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm.

MAShT kërkon nga Drejtoritë Komunale të Arsimit, që shpalljen e vendeve të lira të punës ta bëjnë në harmoni të plotë me UA nr. 10/2018, të dt. 20 korrik 2018.