Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ia shpreh pakënaqësinë Haskukës për largimin e drejtorëve të shkollave
Ministri i MASHT-it, Ramë Likaj ia ka shprehur pakënaqësinë e tij, kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës në pozitat udhëheqëse të drejtorëve të disa shkollave, pa konkurs dhe emërimit në vend të tyre të ushtruesve të detyrës, raporton ‘Gazeta e Prizrenit’.
“Ministri Likaj i ka thënë Haskukës se veprime të tilla janë në kundërshtim me normat e parapara ligjore”, bëri të ditur për portalin një burim i besueshëm me kusht anonimiteti.
Haskuka ka larguar disa zëvendësdrejtorë dhe shumicën e drejtorëve të shkollave, ndërsa në vend të tyre ka preferuar që pa konkurs të emërojë disa mësimdhënës, ka raportuar Gazeta e Prizrenit.
Haskuka, dje ka pritur në takim ministrin e Arsimit, Ramë Likaj dhe atë të Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan. Në takim ishte prezent edhe drejtoresha e DKA-së, Xhemile Vezgishi.
Në njoftimin e Komunës së Prizrenit, thuhet se gjatë këtij takimi ishte bisedua për përgatitjet dhe skenarët për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021.
Në fillim të kësaj jave, disa drejtorë njoftuan se vendimet për largim i kanë marrë me anë të zarfeve.
Komuna ka deklaruar se emërimi i ushtruesve të detyrës së menaxherëve është bërë pasi që kontrata e disa drejtorëve ka skaduar, dhe se hapja e konkursit të rregullt është pamundësuar për shkak se Kuvendi Komunal akoma nuk e ka miratuar formimin e Komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve.
Opozita ndërkaq e ka kundërshtuar fuqishëm një version të tillë duke thënë se kjo është një fushatë e pastër politike dhe selektive, madje si në kohën e Serbisë, aq më tepër kur ligji e parasheh shpalljen e konkursit 3 muaj para skadimit të kontratës.
Sipas opozitës në këtë rast është aplikuar edhe standard i dyfishtë, pasi kështu nuk është vepruar edhe ndaj disa drejtorëve “të dëgjueshëm” , ndërsa të emëruarit janë mësimdhënës pa trajnimin e paraparë për menaxher shkollash. /GazetaePrizrenit.net/