04-12-2020

Ministria e Arsimit ka paguar rreth 2 milionë euro në kundërshtim me rregullat, bëhet fjalë edhe për UPZ-në

Në kundërshtim me rregullat financiare, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në vitin 2019 ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej afro 2 milionë euro në kategori ekonomike joadekuate.

Në raportin e auditimit për pasqyrat financiare të MASH, Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar se 1,118,209 euro është shuma e pagesës për blerjen e inventarit për objektet arsimore që është buxhetuar dhe shpenzuar nga kategoria e investimeve kapitale ndonëse do të duhej të realizohej nga kategoria mallra dhe shërbime.

Po ashtu, pagesat në vlerë prej 50,000 euro për anëtarësim të Kosovës në programin Erasmus ishin buxhetuar dhe shpenzuar nga kategoria e subvencioneve dhe transferove, edhe pse sipas planit kontabël anëtarësimet janë shpenzime që i takojnë kategorisë mallra e shërbime.

Kurse, riparimi i kulmit të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prizrenit, në vlerë prej 23,123 euro, ishte paguar dhe regjistruar nga mallrat e shërbimet ndërsa do të duhej të klasifikohej si shpenzim kapital.

Sipas Auditorit, klasifikimi dhe pagesa e shpenzimeve nga kategoria ekonomike joadekuate ndikon në mbivlerësimin/nënvlerësimin e kategorive përkatëse të shpenzimeve dhe në mbivlerësimin e pasurive. Kjo mund të çojë në prezantim jo të drejtë të pasqyrave vjetore financiare.

Auditori ka gjetur edhe shkelje dhe mangësi të tjera në MASH. Sipas raportit, kjo ministri gjatë vitit 2019 kishte të angazhuar 167 punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta. Nga pesë raste sa i ka analizuar ZKA, ka gjetur se ato ishin realizuar pa zhvilluar procedura të thjeshta të rekrutimit.

Sipas raportit, stafi ishte i angazhuar kryesisht për pozita të rregullta të punës dhe kontratat ishin për personat e njëjtë nga viti 2018 e tutje, të cilëve u vazhdoheshin kontratat çdo 6 muaj.

ZKA në MASH ka evidentuar edhe mangësi në procedimin e pagesave. Sipas Auditorit, në 27 pagesa për mallra dhe shërbime, është identifikuar se zotimi dhe urdhër-blerja ishte bërë pas pranimit të faturës, e që është në kundërshtim me Rregullën Financiare për Shpenzimin e Parasë Publike.

Dobësi janë evidentuar edhe në menaxhimin e pasurive kapitale dhe jokapitale. Auditori ka gjetur se gjatë vitit 2019, pasuritë kapitale të blera në vlerë prej 989,745 euro dhe ato jokapitale në vlerë prej 97,826 euro nuk ishin regjistruar në regjistrat përkatës dhe rrjedhimisht pasqyrat financiare vjetore të vitit 2019 ishin të nënvlerësuara për mbi 1 milion euro.

Auditori në raportin e tij ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit është pajtuar me gjetjet dhe është zotuar në zbatimin e rekomandimeve. /Koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.