24-11-2024

Ministria e Bujqësisë premton mbështetje për fermerët e Rahovecit

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq ka vizituar sot Komunën e Rahovecit, me ç’rast është takuar me kryetarin e kësaj komune, Smajl Latifi.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se gjatë këtij takimi është biseduar për zhvillimet e deritanishme në sektorin e bujqësisë në këtë komunë, si dhe për programet mbështetëse të ministrisë, përmes të cilave ajo tha se do të gjejnë mbështetje shumë fermerë të kësaj ane.

Ministrja me këtë rast ka theksuar se mbështetja e MBPZHR-së do të vazhdojë të rritet nga viti në vit, si përmes subvencioneve ashtu edhe përmes granteve investive, me qëllim të fuqizimit të sektorit të bujqësisë, duke përfshirë edhe vreshtarinë, si sektori kryesor në këtë komunë.

Në anën tjetër, kryetari Latifi me këtë rast e njoftoi ministren me sfidat me të cilat përballen fermerët e kësaj ane, duke theksuar me këtë rast nevojën e rritjes së mbështetjes për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në këtë anë.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Zhiviq e shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë, Bekim Hoxha, kanë vizituar Institutin për Vreshtari dhe Verëtari në Rahovec, ku kanë parë për së afërmi punën që bëhet në këtë institut.

“Vreshtaria është një degë e rëndësishme e prodhimit bujqësor, vera është një produkt shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit, kultivimi i hardhisë së rrushit përfaqëson një mundësi të madhe për zhvillim, Rahoveci është tokë shumë pjellore për kultivimin e hardhisë së rrushit. Duke u nisur nga këto, MBPZHR-ja do të vazhdojë të mbështesë dhe të investojnë në zhvillimin e Vreshtarisë”, tha Zhiviq.

Hoxha gjatë kësaj vizite, ka prezantuar Strategjinë Sektoriale për Vreshtarinë, Verëtarinë dhe rrushit të tryezës 2020 – 2025, përmes së cilës strategji ai theksoi se do të zhvillohet sektori i vreshtarisë dhe verëtarisë në Kosovë. Ai më tej tha se përmes strategjisë synojnë krijimin e plantacioneve të reja të vreshtave, të arrijnë të përmbushin nevojat e konsumit të rrushit të tryezës dhe të rrisin eksportet në vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Ministrja gjatë ditës ka vizituar edhe Bodrumin e Vjetër në Rahovec, ku nga afër është njoftuar me procesin e prodhimit të verës në këtë bodrum./k.net

Asnjë koment

Comments are closed.