Ministri Ismaili përuron pajisje në kirurgj, që do të ndalin shpenzimet e larta të qytetarëve për operacione
Klinika e Kirurgjisë për herë të parë është pajisur me VATS në vlerë prej 64 mijë eurosh.
Kjo aparaturë rritë cilësinë dhe sigurinë e ndërhyrjes, zvogëlon mundësinë për infeksione dhe përshpejton kohën e rehabilitimit të pacientit.
Ministri Ismaili, gjatë përurimit të këtyre pajisjeve, tha se duke luftuar korrupsionin në shëndetësi është bërë e mundur që të kurseheshin më shumë para, të cilat po kthehen në investime për klinikat dhe spitalet tona.
“Sot në Kirurgjinë Torakale përuruam pajisjen e re të VATS-it dhe Bronkoskopin që bashkë kapin vlerën e 74 mijë eurove. VATS-i i ri do të rritë shumë sigurinë e pacientit në operacione dhe do të mundësojë rehabilitim më të shpejtë të tij. Meqenëse operimet e tilla në privat sillen nga 25 deri në 40 mijë euro, ne kemi bërë një ndërhyrje që direkt prekë jetën e pacientëve dhe buxhetin e familjeve”, ka thënë ministri Ismaili.
Më tutje, ai ka thënë se duke luftuar korrupsionin ka nisur të kthehet shpresa dhe besimi i qytetarëve në sistemin tonë shëndetësor.
“Miliona euro të shpëtuara në blerjen e barnave i kemi kthyer në orientimin e duhur: në më shumë aparatura moderne për klinikat dhe spitalet tona, të cilat tashmë janë në shërbim të plotë të pacientëve, qytetarëve dhe familjeve.”, ka thënë ministri Ismaili.