Mirëpritet ngritja e një Memoriali për krimet e serbëve në Krushë të Vogël
Banorët e fshatit Krushë e Vogël të Prizrenit, ku njëzet vjet më parë forcat serbe bënë masakrën më të madhe në Kosovë, krahasuar me numrin e banorëve, derisa i konsiderojnë si të vonuara paralajmërimet për ndërtimin e Memorialit, thonë se megjithatë mirëpresin projektin që dokumenton tmerrin, të cilin nuk do ta harrojnë kurrë, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Paralajmërimin për ngritjen e Memorialit e ka bërë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duke thënë se në të kaluarën institucionet përgjegjëse, qoftë Qeveria apo komuna, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të siguruar dhe mbrojtur atë vend si një dëshmi të krimeve të Serbisë në Kosovë.
Agron Limani, kryetar i shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”, ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net”se ndërtimi i Memorialit është iniciativë e tërë fshatit.
“Edhe pse kjo është nismë goxha e vonuar, mirëpo e domosdoshme për të dëshmuar krimet serbe në Kosovë. Që 20 vjet e kemi përmendur të gjithë, ndërsa në çdo takim qoftë në Prishtinë apo kudo personalisht e kam potencuar edhe unë në emër të shoqatës”, tha ai.
Krusha e Vogël, rreth 10 kilometra larg Prizrenit gjatë luftës pësoi dëme të mëdha. Krahasuar me numrin e banorëve, ky është vendi më i dëmtuar në Kosovë. Përpos djegies së objekteve të banimit, forcat serbe në fund të marsit 1999 vranë 113 civil shqiptarë. Prej tyre 45 janë identifikuar dhe varrosur, ndërsa 68 konsiderohen të zhdukur. Fshati ka edhe një dëshmor të luftës, ndërsa si pasojë e minave, pas luftës ka vdekur edhe një person.
Për nënkryetarin e fshatin Gani Zylfiun, ngritja e Memorialit, pos që do të jetë një dëshmi për brezat, sikur do ta lehtësojë paksa dhembjen e madhe të banorëve, të cilët edhe gojarisht do t’ua përcjellin brezave historinë e tmerrit të atyre ditëve kur forcat paramilitare serbe i ndanë burrat nga gratë, duke i vrarë e masakruar.
Kryetari Haskuka, ndërkaq ka njoftuar se për konkretizimin e projektit të Memorialit në Krushë të Vogël këto ditë ka pasur një takim me këshilltarin politik të kryeministrit dhe mbajtësin e Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka dhe përfaqësuesit e Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, me të cilët janë pajtuar për ndërtimin e Memorialit. Megjithatë ai nuk ka konkretizuar ndonjë datë kur pritet fillimi i projektit.
Sipas Agron Limanit, ndërtimi i memorialit pritet të nisë së shpejti dhe është paraparë të bëhet në vendin ku ka ndodhur masakra, e që shihen në fotot që sjell “GazetaePrizrenit.net”.