Mish i prishur, vetëm gjatë vitit 2019 janë asgjësuar rreth 120 mijë kg
Mishi i prishur ka filluar të kthehet në “specialitet” nëpër depot e marketet e vendit. Pothuajse çdo muaj, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit hasin në mish të tillë. Vetëm gjatë këtij viti, janë hasur dhe asgjësuar rreth 120 mijë kilogramë mish i prishur. Rasti i fundit është ai i së dielës në Pejë, ku u gjetën mbi 3 mijë kg mish që nuk i plotëson kushtet për konsum. Ndërkohë, sasia e mishit të asgjësuar në tri vitet e fundit, sipas AUV’it, shkon në rreth 350 mijë kilogramë.
Skandalet me mish të prishur nuk kanë të ndalur në Kosovë. Vetëm gjatë të dielës, në një depo në fshatin Sigë të Pejës janë gjetur e konfiskuar 3 mijë e 200 kilogramë mish që nuk i plotëson kushtet për konsumim.
Përveç mishit, Policia ka bërë me dije se aty janë gjetur të deponuara edhe lëkura të kafshëve dhe shtatë krerë lopë dhe gjedhe pa numër identifikues.
“Gjatë bastisjes në një depo janë gjetur të deponuara lëkura të kafshëve dhe rreth tre mijë e dy qind (3200) kilogramë lloje të ndryshme të mishit, dhe në stallën e këtij objekti janë gjetur shtatë (7) krerë lopë dhe gjedhe pa numër identifikues”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje, Policia ka njoftuar edhe për arrestimin e një personi lidhur me këtë rast. Sipas Policisë, personi është arrestuar si i dyshuar për veprën penale – prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor.
E se mishi i gjetur në atë depo nuk i plotëson kushtet për konsumim e konfirmojnë edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.
Zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi i ka thënë Gazetës Express se dhoma në të cilën është gjetur mishi ka qenë në temperaturë ambienti, ndonëse do të duhej të ruhej në temeraturë nën -18 gradë Celsius.
“Gjatë inspektimit të kryer më 30.11.2019 në një hapësirë në kuadër të Fabrikës Përpunuese të Mishit janë hasur në 3450 kg mish i cili duhej ruajtur në temperaturë nen -18 C, kurse dhoma ku është gjete mishi ka qenë në temperaturë ambienti, andaj sipas kushteve të përcaktuara me ligj inspektoret kanë konstatuar se kjo sasi e mishit nuk i plotëson kushtet për konsum”, ka thënë Thaçi.
Sipas Thaçit, sasia e mishit që është vlerësuar si e pasigurt është bllokuar dhe ndaluar për qarkullim, derisa thotë se i njëjti do të asgjësohet në momentin që kompania i krijon kushtet.
“Kurse gjedhet që janë hasur në fermë të thertores pa numra të matrikulimit ( 7 krerë), me urdhër të prokurorit dhe në bashkëpunim me autoritetet doganore janë konfiskuar dhe janë dërguar në karantinë në QK “Dubrava” në Dubravë, komuna Istog”, thuhet në përgjigjet e Thaçit drejtuar Gazetës Express.
Por, kjo nuk është hera e parë që gjendet mish i prishur në vend.
Pothuajse çdo muaj, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit hasin në mish të tillë.
Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, vetëm gjatë këtij viti janë asgjësuar rreth 120 mijë kilogramë mish i tillë, shifër kjo që për tri vitet e fundit shkon në afër 350 mijë kilogramë.
“Asgjësimet e kryera gjatë viteve të produkteve me origjine shtazore : Në vitin 2017 janë agjësuar 82, 700 kg, në vitin 2018 janë agjësuar 149,065 kg dhe në 2019’ën 117, 429 kg”, deklarojnë në AUV për Express.
Ndërkohë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mishi përbën 20 për qind të ushqimit të konsumit të përgjithshëm.
“Ushqimi në Kosovë dominohet nga mishi, qumështi, djathi, vezët, buka dhe drithërat, që kontribuojnë më shumë se gjysmën e konsumit të ushqimit (në vlerë). Më pas radhiten perimet dhe pijet joalkoolike”, thotë ASK në raportin “Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare”.
Edhe të dhënat e importit nga Dogana e Kosovës, tregojnë se kosovarët importojnë mbi 40 milionë kilogramë mish për çdo vit.
“Gjatë vitit 2018, importi i mishit ishte 45 milionë kilogramë të të gjitha llojeve në vlerë të përgjithshme prej 64 milionë euro. Ndërsa, nga fillimi i 2019 deri në muajin korrik, në Kosovë janë importuar rreth 31 milionë kilogramë në vlerë prej 44 milionë euro”, kishin thënë në zyrtarë të Doganës.
Ndryshe, gjatë vitit të kaluar rreth 40 mijë kilogramë mish me cilësi të dyshimtë ishte shitur në tregun e brendshëm të Kosovës. Ky mish ishte konsumuar nga qytetarët e Kosovës. Mishi ishte eksportuar nga Belgjika në Kosovë nga kompania belge “Veviba”./Gazeta Express