Mjekët ia mësyjnë politikës, a do ta këndellin ata shëndetësinë

Mjekët, Ekrem Hyseni, Ardian Shala e Haxhi Avdyli, janë votuar mjaftueshëm për t’u bërë deputetë të LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Nga LVV-ja deputete edhe në këtë legjislacion do të jenë Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ndërsa deputet rishtar do të jetë Arben Vitia. Nga PDK-ja Uran Ismaili dhe Bekim Haxhiu, ndërsa nga AAK – PSD Arbër Tolaj, Time Kadrijaj, si dhe Pal Lekaj, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Pothuajse të gjitha partitë në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit kanë pasur edhe mjekë. Ekrem Hyseni, Ardian Shala, Haxhi Avdyli e Arbër Tolaj dhe një numër të tjerësh jo i vogël kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në bazë të disa rezultateve që janë publikuar në medie, mandatin e deputetit e ka fituar neurokirurgu Haxhi Avdyli, onkologu i QKUK-së Ekrem Hyseni dhe kardiologu në Spitalin e Prizrenit, Ardian Shala.

Nga koalicioni AAK – PSD drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Arbër Tolaj, do të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës, ish-deputetja dhe doktoresha Time Kadrijaj, si dhe ish-ministri i Infrastrukturës, i cili më herët ka qenë edhe mjek, Pal Lekaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje pozitën e deputetes e ka marrë edhe një herë Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ish-deputete dhe doktoreshë, ish-drejtori i shëndetësisë në Prishtinë Arben Vitia dhe ish-anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Drita Millaku.

Nga Partia Demokratike e Kosovës në ulëset e Kuvendit të Kosovës do të jetë ministri në largim i Shëndetësisë Uran Ismaili dhe ish-anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu.