03-11-2024

Mjeku i Prizrenit flet nga karantina: Isha te vjehrri i infektuar

Mjeku i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, përkatësisht urgjencës, ka reaguar pas raportimeve në media se shkaku i tij, rreth 45 punëtorë të urgjencës janë në vetëizolim. Ai ka thënë se në izolim gjenden vetëm ai dhe familja e tij. I njëjti ka pasur kontakt me vjehrrin e tij, i cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19, derisa testimi tij pritet të bëhet nesër, raporton Express.

Në një prononcim për Gazetën Express, mjeku në fjalë ka thënë se është e vërtetë që ka qenë në vizitë të i infektuari, por se vizita ka qenë e izoluar dhe se të dytë kanë qenë të mbrojtur me dorëza e maska mbrojtëse.

“Pacienti në fjalë është kthyer nga Bullgaria me 16 mars. Qysh atë dite kanë qene të izoluar në shtëpi me përpikmeri. Sa i përket “kontaktit” tim me familjarin, e vërtet që kam qene në vizitë. Po vizita ka qenë e izoluar. Kemi qenë të mbrojtur me maska e me dorëza. Kemi qenë në ambient të hapur e në distancë të pakten 2m nga njeri tjetri. Thjesht ka qenë vizite përshëndetëse e jo si proklamohet me atë mesazh që qarkullon në media”, ka thënë ai.

Thotë se pas kësaj vizite, “kontakti” tjetër me vjehrrin ka qenë kur atij i janë paraqitur simptomat e para. Me mjete mbrojtëse thotë të ketë qenë i pajisur edhe gjatë kontaktit me pacientë dhe kolegët e tij në QKMF.

“Kontakti “tjetër ka qenë kur pacientit në fjale iu kanë paraqitur simptomat, e në nderkohë pacienti ka qenë me veturë private të veten, unë me timen, e kam percjelle deri në Spitalin Rajonal të Prizrenit, për shkak të ndalimit të qarkullimit. Me po ato masa të mbrojtjes, unë jam ballafaquar çdo ditë me pacientë, e edhe rastin në fjale e kam cilësuar potencialisht të infektuar, prandaj edhe kam pasur kujdes”, thotë ai për Express.

Sipas tij, asnjë prej kolegëve të tij nuk janë në izolim përveç tij dhe familjes.

“Ne me stafin e urgjencës, kemi pasur kontakte si me kolegë të punës, por asnjëherë duke i shkelur rekomandimet e obsh. E aq me pak kontaktet me pacientë që gjithmonë kanë qenë me masa të nevojshme mbrojtëse. Në izolim nga shërbimi jam vetëm unë dhe familja ime, se ashtu është protokolli”, ka deklaruar mjeku në fjalë.

Ndryshe, Firdeze Haxhimagjun Skenderi, e cila pretendon se është mjeke, sot ka denoncuar mjekun e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, përkatësisht urgjencës, se ka rrezikuar shëndetin e 45 punëtorëve të urgjencës dhe pacientëve, meqenëse nuk ka treguar se ka pasur kontakt me të infektuarin me COVID-19.

Sipas saj, stomatologu i infektuar me koronavirus, e ka festuar ditëlindjen më 24 mars dhe në këtë aheng familjar kishte marrë pjesë edhe një mjek i QKMF-së, i cili nuk u kishte treguar kolegëve të tij deri në ditën kur stomatologu kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Ajo thotë se për shkak se kolegët në QKMF kanë pasur kontakt me mjekun në fjalë, tani janë detyruar që të vetëkarantinohen derisa të kryejnë analizat në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, derisa ka treguar se mjeku në fjalë ka punuar edhe me pacientë për çdo ditë nga ora 07:00 deri në 15:00.

Për këtë rast është deklaruar edhe Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu.

Në një prononcim për Gazetën Express, Shehu ka thënë se Firdeze Haxhimaxhun-Skenderi nuk është fare punëtore e QKMF-së dhe se nuk e di arsyen pse ajo ka bërë një postim të tillë.

Shehu tregon se doktori në fjalë është në vetizolim që nga dita kur është konfirmuar rasti i parë në këtë komunë. Ai thotë se testimi i tij do të bëhet nesër dhe se nëse rezultati del pozitiv, do të testohen të gjithë personat me të cilët ka pasur kontakt.

Shehu deklaron se para se të jetë në izolim, doktori ka pasur kontakte me pacientë, por se gjithherë ka qenë me pajisje mbrojtëse.

“Zonja në fjalë nuk është fare mjeke. Nuk punon te ne fare. Doktori në fjalë është në vetizolim që nga dita kur është konfirmuar rasti i parë në Prizren, meqenëse me të infektuarin ka lidhje familjare, e ka pra vjehërr. Para kësaj date ai ka kontrollu pacientë, por gjithëherë me masa mbrojtëse. Nesër do të bëhet testimi i tij dhe nëse rezultati del pozitiv, atëherë do të testohen të gjithë ata me të cilët ka pasë kontakt”, ka thënë Shehu për Express.

Mbrëmë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 13 raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 125.

Rastet pozitive janë raste kontakti, 11 prej të cilëve me vendbanim në Topanicë, 1 me vendbanim në Prishtinë dhe 1 me vendbanim në Gjakovë.

“Nga data 08.02.2020 deri me 01.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.380 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 125 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së. /Gazeta Express

Asnjë koment

Comments are closed.