Mosmbajtja e festivalit “Zambaku i Prizrenit”, përfaqësues opozitar kërkojnë dorëheqjen e drejtorit për kulturë
Deklarimet e Drejtorit të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren, për mosmbajtjen këtë vit të festivalit me traditë “Zambaku i Prizrenit”, në dëgjimin publik të Drejtorisë përkatëse të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, kanë nxitur reagimet e përfaqësuesve të opozitës në Kuvendin Komunal, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së, Ilir Baldedaj, pas kësaj ka kërkuar nga kryetari i Komunës, që menjëherë ta shkarkojë drejtorin për Kulturë Rinisë e Sport, Ehat Oreshka.
Ai ka shkruar në “facebook”, se “Drejtori i Kulturës sot pa fije turpi paska thënë në dëgjimin publik se këtë vit nuk do të mbahet festivali i Këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”. A ka brirë paaftësia për ta udhëhequr një dikaster. Çka mund t’i ndodh Prizrenit më shumë se kaq. Zambakun Prizrenit nuk mundi të ia ndalojë as pushteti okupues i Serbisë.
Nuk e kap mendja e shëndoshë këtë veprim të DKRS-së. Prandaj kryetari Komunës duhet urgjentisht ta shkarkoj drejtorin e DKRS-së. Nëse nuk e bënë këtë atëherë turpin le ta mbaj vetë ai”, ka shkruar Baldedaj.