02-12-2024

Moti i keq, anulohen gjashtë fluturime në Aeroportin e Prishtinës

Shiu i dendur dhe erërat e forta që kanë mbretëruar në vendin tonë, kanë bërë që të anulohen gjashtë fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Qytetari A.A nga Fushë Kosova së bashku me nënën e tij, sot rreth orës 16.30 kishin shkuar në aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për të udhëtuar për në Zvicër ashtu dhe siç ishte paraparë fluturimi që të bëhej sot në orën 18:20. A.A  thotë se ky udhëtim nuk u realizua për shkak të motit të ligë.

“ Unë së bashku me nënën kemi shkuar në 16:30 në Aeroport pasi që  është dashur të udhëtojmë për në Zvicër në ora 18:20. Kemi qëndru  pesë orë në aeroport dhe se rreth orës 21:00 na kanë thënë se fluturimi është anuluar për shkak të motit. Na kanë thënë se fluturimi për në Zvicër do të realizohet nesër në orën 17:30 ”, tha ai.

E këtë për “Indeksonline”, e ka konfirmuar dhe zëvendës drejtori i ASHN-së Driton Ujkani. Ujkani ka thënë se si pasojë e motit, sonte janë anuluar gjashtë fluturime. Katër fluturime të anuluara sipas tij kanë qenë destinacioni Zvicër-Prishtinë dhe anasjelltas si dhe dy të tjera Gjermani-Prishtinë dhe anasjelltas.

“Për shkak të motit të keq janë anuluar gjashtë fluturime.  Katër fluturime kanë qenë Zvicër-Prishtinë dhe anasjelltas dhe dy të tjera Gjermani -Prishtinë dhe anasjelltas. Anulimet janë bërë për shkak të kushteve atmosferike që po mbretërojnë aktualisht në Prishtinë. Ndërsa fluturimet tjera gjatë ditës së sotme janë realizuar sipas planit të paraparë“, ka thënë Ujkani./IO

Asnjë koment

Comments are closed.