Muharrem Elezkurtaj i propozuari për kryesues të Kuvendit Komunal të Prizrenit nga VV
Anëtari i Vetëvendosjes, Muharrem Elezkurtaj, i cili pret ta japë betimin si anëtar i Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, është propozuar për kryesues të organit më të lartë lokal.
Këtë e ka konfirmuar edhe Elezkurtaj, profesor në gjimnazin “Gjon Buzuku”, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Elezkurtaj, i cili edhe në mandatin paraprak ka qenë për një kohë në ulësen e KK-së, do ta zëvendësojë bashkëpartiakun e tij, Artan Abrashi, kryesues paraprak i Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, që pas zgjedhjeve qendrore, fitoi postin e deputetit.
Pas dorëheqjes së kryesuesit Abrashi, KK-së së Prizrenit i duhet ta zgjedh një drejtues të ri. Këtë post tashmë po e synon edhe opozita,
Kjo pas daljes së Nismës nga koalicioni qeverisës, ku ka ndryshuar raporti i numrave në KK. Aktualisht numrat dalin kësisoj: PDK ka 11 vota, AAK dhe Nisma nga 5, ndërsa si opozitë kanë shumicën e thjeshtë apo 21 nga 41 ulëset sa ka KK.
Burime të gazetës thonë se opozita po punon në këtë drejtim, por ende nuk bëhet publik emri i kandidatit të tyre.
Nuk dihet ndërkaq, nëse kolegëve të tyre opozitar do t’u bashkohet edhe Sinan Aliaj nga Nisma i cili dy mbledhjet e fundit të KK-së, nuk përfilli vendimin e opozitës për ta braktisur seancën.
Çështja e zgjedhjes së kryesuesit të KK, do të jetë një nga pikat e nxehta të këtij organi, për të parë edhe ndikimin e mëtejmë politik në mes pozitës dhe opozitës.
Ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca e parë e këtij viti e KK-së, që tashmë ka mbetur pa kryesues.
Po ashtu nuk dihet nëse kjo seancë do t’i kushtohet mbledhjes së jashtëzakonshme, të cilën para Vitit të Ri e ka kërkuar 1/3 e anëtarëve të Kuvendit nga opozita. Por, që në mungesë të kryesuesit nuk ka datë për mbajtjen e mbledhjes, ndonëse kanë kaluar të gjitha afatet ligjore. /GazetaePrizrenit.net /