23-11-2024

Muharremaj: 1 milion euro për kompensimin e dëmeve në amvisëri, pas vërshimeve në Suharekë

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj në një intervistë për portalin rajonal “Gazeta e Prizrenit” tregon për atë se çfarë po bëhet rreth sanimit të dëmeve pas vërshimeve të gushtit, për atë se kur pritet të përfundojë vlerësimi i dëmeve si dhe me çfarë shume mjetesh pritet të intervenohet në infrastrukturën rrugore. Po ashtu kryetari tregon edhe për raportet me opozitën,  për atë se çfarë konsideron sfidë në punën e tij, si dhe si projektet që parashihet të realizohen deri në fund të vitit.

– Zoti Muharremaj, çfarë keni ndërmarrë konkretisht për ta tejkaluar situatën pas shirave dhe vërshimeve të gushtit në këtë komunë? Çfarë po bëhet aktualisht?

Siç është njoftuar opinion përmes medieve, qyteti dhe mbi 50 % e fshatrave nga data 16 gusht 2018, janë përfshirë nga vërshimet pas reshjeve të shumta të shiut. Përmes shtabit emergjent, ku në ekipe të ndryshme i kemi ftuar të gjitha subjektet politike pa dallim, kemi evidentuar në komisione, dëmet në amvisëri, bujqësi, objekte afariste-bizneset dhe infrastrukturë, ndërkohë kemi prezantuar dëmet para Qeverisë së Kosovës, e cila është përgjigjur pozitivisht. Aktualisht komisionet janë në procesin përfundimtar të vlerësimit të dëmeve të amvisërisë, ku Qeveria e Kosovës ka ndihmuar me 1 milion euro për sanimin e gjendjes emergjente. Po ashtu gjysmë milioni euro është vlera tjetër, ku Komuna e Suharekës dhe Qeveria do të intervenojnë në rregullimin e infrastrukturës rrugore. Si kryetar i komunës e kam ftuar publikisht ATK, nga Prizreni që po ashtu të bëjë evidentimin në biznese, ku janë bërë dëmet nga vërshimet.

– A keni bërë vlerësimet përfundimtare për dëmin në zonat më të prekura?

Komisionet e caktuara për vlerësimin e dëmeve të amvisërisë, thuajse është në fazën përfundimtare. Pas vlerësimit të situatës do të dalim publikisht me të dhëna për dëmet në ekonominë familjare ngase një komision i përbërë edhe nga subjektet politike do të jep vlerësimin për kompensim. Ndërsa vlerësimi i dëmeve në infrastrukturë veçse është verifikuar nga inxhinierët në teren dhe më tutje do të veprohet sipas procedurave të mëtejshme.

– Sa është shuma totale e mjeteve dedikuar nga qeveria. Pos saj, a keni ndihma të tjera eventuale për zonat e prekura?

Qeveria e Kosovës ka ndihmuar me 1.1 milion euro. Një milion euro është dedikuar kompensimit të dëmeve në amvisëri, ndërsa 100 mijë euro nga Qeveria dhe 400 mijë nga Komuna e Suharekës, pra 500.000 dedikohen për sanimin e gjendjes në infrastrukturë.

– Muajt e parë të qeverisjes në këtë mandat i ka karakterizuar një punë efikase, sidomos ajo e daljes së vazhdueshme në terren dhe mbikëqyrja nga afër e realizimit të projekteve?

Natyrisht. Ashtu siç kam premtuar edhe në fushatë zgjedhore, unë do të jem në terren. Këtë e bëj të jem sa më afër qytetarëve.

Fotografia e Komuna Suharekë

– Në ç’relacion qëndrojnë raportet tuaja me opozitën?

Mendoj se janë korrekte. Unë gjithmonë kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj me ta. Madje shpesh herë kërkoj këshilla e kritika nga ta, për punën në terren. Ne duhet të jemi bashkëpunues me njëri-tjetrin.

– Çfarë konsideroni si sfidë të deritashme në punën tuaj?

Sfida më e madhe ka qenë përballja me situatën e vërshimeve. Ndërkohë që po vazhdojmë me realizimin e projekteve në terren.

– Çfarë parashihni të realizoni këta muajt e mbetur te vitit sa i përket projekteve?

Kuptohet që vazhdojnë projektet të cilat janë planifikuar sipas buxhetit të miratuar nga Asambleja Komunale. Shumë shpejtë do të përurohet tregu ditor i qytetit, pastaj shtegu i ecjes 2.5 km, pastaj sigurisht jeni të informuar që ka punëtorë edhe në fshatra për mirëmbajtjen e hapësirave publike në fshatra, ndërtimi i unazës, zgjerimi i rrugëve fushore etj. Ne për gjithçka do të jemi transparent, duke pas synimin kryesor ta kemi qeverisjen e mirë e cila i shërben qytetarit.

Ju faleminderit për intervistën!

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.