25-11-2024

Muhaxheri: Nëse deri të dielën nuk ka marrëveshje, LDK tërhiqet nga negociatat

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe i pari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka deklaruar se nëse deri të dielën nuk arrihet marrëveshja në mes VV dhe LDK-së, partia e tj do të tërhiqet nga negociatat për të lënë të lirë partinë e parë të gjejë alternativa të tjerë për të formuar qeverinë.

Sipas tij LDK nuk ka dhënë ultimatum ndaj Vetëvendosje për të arritur koalicionin deri në fund të javës.

“Nga java tjetër, nëse nuk ka marrëveshje, Vetëvendosje është e lirë të gjejë partnerë të tjerë për koalicion”, tha Muhaxheri në Dukagjin, transmeton Indeksonline.

Madje ai theksoi se Kurti e ka obligim kushtetues të ndërtojë qeverinë pasi është mandatar e jo vetëm kandidat për kryeministër.

Sipas Muhaxherit ka humbur besimi nga veprimet e njëanshme dhe se sipas tij LDK dhe VV nuk kanë më entuziazëm si dikur.

I pari i Pejës shtoi se LDK nuk i mori votat në emër të ndonjë ndryshimi, por në emër të qëndrueshmërisë dhe konsistencës së saj si parti prej 30 vitesh.

“LDK është e vendosur që marrëveshja e tyre në adresë të VV-së është e fundit dhe se nuk pranojnë marrëveshje të tjera. Nuk ka opsion B tek LDK, ne nuk i kemi dhënë udhë opsionit B, tek ne mbetet një opsion vendit t’i jepet qeveria, qytetarët kanë kërku ndryshime. Të bëhet qeveri e shpresës dhe kthesës për të ndërtuar institucione dhe për të qenë partner besnik”, tha ai.

“Deri të dielën e kanë mundësinë për t’i dhënë vendit qeverinë. Nga e hëna tjetër ata mund të gjejnë opsione tjera. E kanë një javë kohë në mënyrë që të mos thonë LDK na bllokoi”, shtoi Muhaxheri./Indeksonline/

Asnjë koment

Comments are closed.