Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet seanca ndaj të pandehurve Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj, të cilët po akuzohen se në cilësi të gjeodetëve kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e palës së dëmtuar Gjek Gjevelekaj, raporton “Betimi për Drejtësi.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha konstatoi se në seancë nuk është prezent i dëmtuari Gjevelekaj.
Lidhur me këtë, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se pasi nuk është prezent i dëmtuari Gjevelekaj, kërkoi nga gjykata që seanca e sotme të shtyhet.
Mbrojtësit e të akuzuarve Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj, avokatët Ruzhdi Berisha dhe Blend e Gent Gjini, nuk e kundërshtuan kërkesën e prokurorit Sefa.
Në këto rrethana, gjykatësja Krusha mori aktvendim që shyrtimi i sotëm nuk do të mbahet, seanca e radhës u caktua për 20 janar të vitit 2021, në ora 10:00.
Sipas aktit akuzues, i pandehuri Bajram Selmani, gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj, në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç ‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.
Për të pandehurën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për gjeodezi dhe kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.
Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.
Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.
Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi