Mustafa: Demarkacioni punë e kryer, Kosova s’e humb asnjë metër tokë
I pari i LDK-së, në një intervistë për EkonomiaOnline, ka akuzuar kryeministrin në largim Ramush Haradinajn, se kundërshtoi për disa vjet një marrëveshje të cilën pastaj me të hyrë në qeveri e pranoi pa asnjë ndryshim.
Madje ai ka shtuar se për të kundërshtuar këtë marrëveshje nga AAK-ja e VV-ja u përdor dhunë, molotov, e gaz lotsjellës.
“Unë kam menduar që kjo çështje është e kryer që nga fillimi, sepse Komisioni Shtetëror atëherë e pat bërë zgjidhjen, e pat bërë marrëveshjen, ajo marrëveshje është nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ajo marrëveshje pastaj u kundërshtua më së tepërmi nga AAK-ja, nga VV-ja, ka pasur dhunë, kallje, molotov, gaz lotsjellës, kanë qenë tonat të zezat. Mirëpo, e njëjta marrëveshje pastaj u ratifikua në Kuvendin e Republikës së Kosovës kur ishte kryeministër Haradinaj. E njëjta pa ia ndryshuar asnjë fjalë, vetëm se formalisht e futen edhe atë opinionin e Komisionit të Bulliqit dhe formalisht një Deklaratë”, ka thënë ai.
Por Mustafa ka thënë se marrëveshja është nënshkruar në Kuvendin e Malit të Zi para se të bëhej deklarata e dy presidentëve dhe tashmë është vonë që një proces i tillë të kthehet prapa.
“Marrëveshja është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi kjo që është, por edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës është ratifikuar kjo marrëveshje. Dhe kjo marrëveshje tash është e ratifikuar, në qoftë se ka vullnet prej Malit të Zi që edhe njëherë të rishqyrtohet është çështje tjetër. Mirëpo në pikëpamje juridike, në pikëpamje legale marrëveshja është e përfunduar, sepse e kanë ratifikuar dy kuvendet. Ajo që është çështje e presidentëve është deklaratë që nuk shkon jashtë një deklarate, sepse ajo nuk është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi. Ajo deklaratë është dhënë në pakon e votimeve kur është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, por Mali i Zi nuk e ka ratifikuar një Deklaratë të tillë, sepse është dhënë pasi është bërë ratifikimi i marrëveshjes”, ka thënë ai.
Megjithatë, shprehet i bindur se marrëveshja për demarkacionin është e drejtë dhe se Kosova nuk humb asnjë metër katror dhe se kufiri është vendosur në pikat ku ka qenë edhe më herët.
“Prandaj unë edhe përkundër asaj që kisha dashur të them që ta qojmë kufirin edhe mandej kah Mali i Zi në qoftë se ka pasur ndonjë gabim, por konsideroj se gabime nuk ka pasur, sepse është vënën në vijën ku ka qenë vijë e kufirit mes krahinës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe ne kemi pasur sigurinë e plotë që asnjë metër katror s’ka kaluar andej. Në qoftë se dikush e gjen përpos individëve që kanë bërë shumë zhurmë, do të ishte mirë që të rishqyrtohet”, ka thënë ai.
Mustafa: Taksa pjesë e masave reciproke, duam dialog pa kushte
Në këtë intervistë Isa Mustafa ka folur edhe për taksën dhe procesin e dialogut me Serbinë.Ai ka bërë të ditur se me VV-në janë dakorduar që taksa të mbetet si pjesë e masave reciproke ndaj Serbisë, pasi që ka vlerësuar se vendi fqinj nuk po i ndal veprimet kundër Kosovës.
“Qëndrimi i jonë si LDK, por edhe i VV-së është që taksa tani të jetë pjesë e masave reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se më atë zgjidhet problemi. Në qoftë se Serbia reciprocikisht heq dorë prej disa masave jotarifore që po i aplikon kundër Kosovës, heq dorë në pengimin e origjinës së mallrave të Kosovës që të eksportohen në Serbi. Heq dorë nga fushata e tyre që po bëjnë për çnjohjen e Republikës së Kosovës, implementon marrëveshjet që ne i kemi nënshkruar dhe jemi marr vesh për to në Bruksel, siç është marrëveshja e energjisë dhe shumë marrëveshje të tjera. Sigurisht që edhe ne do të veprojmë në mënyrë reciproke”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se këto masa do të qëndrojnë deri sa Serbia të ndryshon qasje ndaj Kosovës, ndërsa ka kërkuar dialog pa kushte.
“Por në qoftë se Serbia i mbanë të gjitha masat e veta dhe nga ne pastaj kërkojnë që t’i heqim sigurisht që nuk kemi arsye ta bëjmë atë. Prandaj ne do t’i qasemi problemit të dialogut që ai proces të jetë pakushte. Mos t’i vejë kushte as Serbia, as Kosova. Të futemi në proces të dialogut dhe t’i zgjidhim problemet të cilat qojnë deri në njohje reciproke ndërmjet këtyre dy vendeve’, ka thënë ai.
Mustafa: Mini-shengeni i dëmshëm dhe i panevojshëm
Lideri i LDK-së ka komentuar edhe nismën e vendeve fqinj për formimin e një platforme që po quhet mini-shengen.Këtë ide e ka vlerësuar të panevojshme dhe në dëm të Kosovës, pasi që ka thënë se Serbia vazhdon ende të mos i zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën dhe këtë plaformë do ta përdor si arsye për t’i ikur detyrimeve ndaj shtetit tonë.
“As përfaqësuesit e Shqipërisë, as të Serbisë, e as të Maqedonisë nuk kanë thënë se çka është kjo. Përpos asaj që ne po ulemi dhe po bëjmë mini-shengen sepse lehtëson. Për lehtësime ne jemi marr vesh në Bashkimin Evropian që të kemi zonën ose të kemi hapësirën e përbashkët ekonomike në mes këtyre vendeve. Prandaj unë e konsideroj krejtësisht si iniciativë të pabazë dhe mos të them të paqëllimtë sepse ai që e ka propozuar ka një qëllim, por për një qëllim të panevojshëm dhe të dëmshme, sepse përmes saj në një formë relativizohet krejtësisht detyrimi i Serbisë për implementimin e marrëveshjeve që i kemi pas ne me Serbinë dhe për plotësimin e kushteve për integrim në BE që janë kushte që BE-ja i ka vënë ndaj Serbisë. Dhe ata tani nuk munden përmes një mini-shengeni t’i ikin detyrimeve të tyre ndaj Kosovës”, ka thënë ai.