19-05-2024

Nafta lirohet në botë, shtrenjtohet në Kosovë, arsyetimi i tyre

Çmimi i derivateve të naftës në tregun e Kosovës, sërish ka shënuar rritje, pavarësisht se në bursën ndërkombëtare ka shënuar ulje.

Përfaqësues të naftëtarëve çmimin e arsyetojnë për shkak se importi i këtij produkti nga kompanitë tregtare dhe furnizuese është blerë më herët, me çmim më të lartë.

Në Kosovë, më 31 mars, një litër naftë është shitur deri në 1.69 euro, ndërkaq benzina deri në 1.59 euro, varësisht nga operatori ekonomik dhe lokacioni. Çmimi i këtij produkti disa ditë kishte shënuar rënie deri në 1.49 euro.

Me çmimet aktuale këto produkte janë shitur edhe më 8 mars, kur nafta e përpunuar në bursën ndërkombëtare ka qenë 130 dollarë për fuqi.

Mirëpo, nafta e papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, më 31 mars ka rënë në rreth 106 dollarë për fuçi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), të mërkurën ka thënë se sinkronizimi i rritjes së çmimeve të naftës lë hapësirë për dyshim në orkestrim të rritjes së çmimit. Ata kanë shtuar se autoritetet po inspektojnë në terren.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të enjten përgjigje nga MINT-i se cilat janë gjetjet nga inspektimi në terren, por deri në momentin e publikimit të tekstit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Lëvizjet e çmimeve të karburanteve po ndodhin për shkak të rritjes së kërkesës për këtë produkt në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe sanksioneve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Bashkimit Evropian kanë vendosur kundër Moskës./REL

Asnjë koment

Comments are closed.