NATO kujton 21 vjetorin e ndërhyrjes së KFOR-it: Kosova hyri në një periudhë të re të paqes dhe zhvillimit

Kosova sot është duke shënuar 21 vjetorin e çlirimit që erdhi falë ndërhyrjes së NATO-së përmes forcave të KFOR-it, të cilat zbarkuan në Kosovë në orët e para të 12 qershorit.

Në një komunikatë të lëshuar për media nga NATO, thuhet se pas 12 qershorit Kosova hyri në një fazë të re të paqes dhe zhvillimit.

“Në orët e para të 12 qershorit 1999, kontingjentet nga shumë shtete hynë në Kosovë nën shenjën e KFOR-it dhe filluan misionin e udhëhequr nga NATO-ja, që sot shënon përvjetorin e 21-të.

Kosova hyri në një periudhë të re të paqes dhe zhvillimit, gjithashtu falë kontributit të KFOR-it për mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se përimrësimi i gjendjes së sigurisë në Kosovë ka bërë që numri i trupave të KFOR-it të zvogëlohet nga 55 mijë trupa sa ishin në vitin 1999 në vetëm 3 mijë e 500 sa janë tani.

“Përmirësimi dramatik i sigurisë në terren ka çuar në zvogëlim progresiv të KFOR-it nga 55,000 trupa sa ishin në vitin 1999 në rreth 3.500 trupa tani.

Ushtarët nga njëzet e shtatë shtete nën komandën e Gjeneralmajorit Italian Michele Risi përbëjnë një forcë të fortë, të besueshme dhe parandaluese të cilët e shfaqin të njëjtën frymë, angazhim dhe entuziazëm sikurse pararendësit e tyre”, shton komunikata.

Misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar ndërsa KFOR-i mbetet një faktor i domosdoshëm i stabilizimit për të ardhmen e Kosovës dhe për sigurinë rajonale.

“Besoj fuqishëm se situata stabile nga perspektiva e sigurisë është kusht i domosdoshëm për dialog dhe për bashkëpunim. KFOR-i do të vazhdojë ta japë kontributin e tij për ta kapërcyer situatën drejt një të ardhmeje më të ndritshme për gjeneratat më të reja të Kosovës”, ka deklaruar gjeneral Risi me rastin e përvjetorit të KFOR-it./Express/