Ndahet nga jeta dr. Sedat Hoti, shef i Shërbimit të Fizioterapisë në Spitalin e Prizrenit
Sot në mëngjes ka ndërruar jetë dr. Sedat Hoti, mjek specialist i fizioterapisë dhe shef i Shërbimit të Fizioterapisë në Spitalin rajonal “Prim. Dr Daut Mustafa ” në Prizren.
I ndjeri nga viti 2016 ishte në krye të këtij shërbimi, duke kryer me përkushtim, përgjegjësi dhe profesionalizëm detyrën e mjekut specialist të fizioterapisë dhe shefit të Shërbimit të Fizioterapisë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Drejtori i Spitalit. Dr. Afrim Avdaj në një postim me lajmin për vdekjen e kolegut të tij, shkruan se ndarja e hershme nga jeta e dr. Sedat Hotit është një humbje e madhe për sistemin e shëndetësisë në përgjithësi, për Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren dhe pacientët e shërbimit të Fizioterapisë në veçanti, sepse ai ishte model shembullor i një mjeku të përkushtuar për ofrimin e shërbimit me profezionalizëm të lartë për pacientë dhe udhëheqësi institucional në sistemin shëndetësor.
Lexo edhe:
E tmershme: Masakra serbe në Lugishtë-Has më 1999-dokumentar (VIDEO)
“Andaj, duke ndier dhe shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me familjen e Dr. Sedatit dhe gjithë atyre që kanë humbur betejën me COVID-19, u bëjmë thirrje gjithë qytetarëve që të rrisin kujdesin dhe masat mbrojtëse ndaj vetes dhe të tjerëve, sepse Covid-19, po dëshmon çdo ditë e më shumë se është një kërcënim i madh për jetën e të gjithë njerëzve pa dallim. I përjetshëm qoftë kujtimi për Dr. Sedat Hotin!”, ka shkruar ndër tjera ai.
Nga fillimi i pandemisë dr. Sedat Hoti ishte në krye të detyrës, në ofrimin e shërbimeve për pacientë, në respektim të vendimeve të Qeverisë, MSH-së dhe rekomandimeve të IKSHP-së dhe OBSH-së./GazetaePrizrenit.net