26-04-2024

E tmershme: Masakra serbe në Lugishtë-Has më 1999-dokumentar (VIDEO)

Lugishta e Hasit është ndër fshatrat më të dëmtuara gjatë luftës, jo vetëm në komunën e Prizrenit, por edhe në vend, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Gjatë fushatës së intervenimit të NATO-s mbi caqet e regjimit të Milosheviqit, në pranverë të vitit 1999,  forcat serbe vranë 46 banorë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, derisa popullata tjetër dhunshëm ishte larguar për në Shqipëri.

Këtu janë vrarë edhe disa banorë të fshatrave përreth, sikur ata të Lagjes së Shehut, të cilët ishin strehuar në këtë fshat.

Banorët e kësaj ane thonë se nuk do të harrojnë kurrë tmerrin që shkaktuan forcat ushtarake serbe, pasi përpos grave vranë e masakruan edhe fëmijë të pafajshëm, vetëm pse ishin shqiptarë, derisa të mbijetuarit i detyruan edhe të hanë barë,  përcjell  “Gazeta e Prizrenit”.

Sipas dëshmitarëve të mbijetuar, paraushtarakët serbë në vendin ‘Del ujt’,  aty mbi fshat ku ishin strehuar disa banorë me familje, pasi i kishin rrethuar,  në njërën anë i ndanë gratë, e në tjetrën meshkujt mbi 15 vjet dhe pas rreshtimit afër një përroske qëlluan me breshëri pa dallim duke vrarë edhe fëmijë e gra”.

Kjo histori tregohet edhe në storien dokumentuese, në këtë video-xhirim, të bërë menjëherë pas luftës në qershor- korrik, 1999.

Shumica e të zhdukurve janë gjetur të masakruar në varreza masive në Has dhe pas identifikimit në shtator të vitit 1999 janë varrosur në varrezat e dëshmorëve e martirëve në këtë fshat.

Sipas shënimeve të komisionit për vlerësimin e dëmeve të luftës, nga afro 300 shtëpi sa kishte fshati, pa u djegur kishin  mbetur vetëm 13 dhoma. Forcat serbe po ashtu nuk kursyen as objektet fetare, tyrbet.

Në shenjë të përjetësimit të kësaj ngjarje, në Lugishtë të Hasit është ngritur Kulla Muze. /GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.