14-04-2021

Ndalimi i dyshimtë i rrënimit të objektit ‘Abi- Çarshia’ në Prizren

Ndalimi i dyshimtë i rrënimit të objektit ‘Abi- Një pjesë e qendrës  tregtare e quajtur ‘Abi- Qarshia’, në pronësi të Irfan Fushës, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës nuk është rrënuar nga Komuna e Prizrenit, përkundër që është konstatuar tejkalimi i lejes ndërtimore si dhe është bllokuar një rrugë publike.

Komuna e Prizrenit kishte nisur rrënimin e objektit, mirëpo pronari i objektit ishte zotuar se do të bëjë vetë rrënimin e objektit me arsyetimin se duhet të ketë kujdes për mos-dëmtim të pjesës tjetër të të njëjtit objekt.

Në të njëjtin ditë, kur pronari i këtij objekti ishte pajtuar për rrënim të objektit pa leje, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë ka ndërhyrë duke e anuluar vendimin e Komunës së Prizrenit për rrënim.

Ky proces i rrënimit është përcjellur me akuza për politizim të çështjes e deri tek akuzat se ‘ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendime të jashtëligjshme’.

Pronari i qendrës  tregtare e ‘Abi- Qarshia’, është Irfa Fusha, i cili ishte kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Islam Thaçi, Drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit tregoi për KALLXO.com kronologjinë e vendimeve të kësaj drejtorie lidhur me objektin në fjalë.

“Drejtoria e Urbanizmit dhe planifikimit hapësinor ka lëshuar leje të reviduar. Edhe pse me leje  pas matjeve rezulton përafërsisht 35% e objektit të ndërtuar janë me tejkalim te lejes dhe në atë pjesë (zonë) ka plan të hollësishëm rregullativ ku objekti me tejkalime ka uzurpuar rrugën që është paraparë si pas planit të hollësishëm rregullativ. Më 31.07.2018 Drejtoria e Inspektoratit nxjerrë vendim për rrënim vullnetar sipas procedurave ligjore në afat 15 ditësh dhe palës i jep të drejtë që të ushtrojë ankesë”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, pronari i objektit nuk e ka filluar rrënimin vullnetar dhe për këtë arsye më datën 24 gusht Drejtoria e Inspektoratit nxori vendim për ekzekutimin e rrënimit.

Ndërsa në datën e fillimit të rrënimit, pra më 27 gusht, Irfan Fusha ka dërguar ankesë në Komunë ku kërkohet shtyrja apo pezullimi i aktvendimit për rrënim. Në të njëjtën ankesë, Fusha e ka njoftuar Komunën se ka bërë ankesë edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me këtë çështje.

Në të njëjtën ditë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nxjerr vendim që e aprovon ankesën e pronarit Irfan Fusha dhe kërkona anulimin e vendimit të komunës së datës 31.07.2018 që kërkoi rrënimin vullnetar të pjesës së objektit.

Ky vendim është në një vijë me qëndrimin e investitorit.

“Organi i shkallës së dytë i MMPH-së, konstatoi se Aktvendimi me nr. 17-354-38-56-2, me datë 31.07.2008 të  Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren është i pabazë për shkak se investitori posedon leje ndërtimi… ndërsa sipas procesverbalit nr 0004509, me datë 26.07.2018 të Drejtorisë së Inspektorateve- Komuna Prizren mbi konstatimin e gjendjes faktike në terren është konstatuar si në vijim: ndryshimet janë bërë brenda kufijve të vijës rregullative, ndërtimore, urban”, thuhet në vendimin e ministrisë.

Ministria i ka kërkuar Komunës së Prizrenit që të ndal procesin e rrënimit.

“Obligohet Drejtoria e Inspektorateve të mos ndërmerr asnjë veprim, ndërsa aneksi shtesë i ndërtuar pa leje në kuadër të objektit me leje të trajtohet sipas Ligjit për Trajtrimit e Ndërtimeve pa Leje”, thuhet në vendim.

Kujtojmë  se sipas Drejtorit Komunal të Inspektorateve, kjo drejtori ka dërguar kallëzim penal ndaj Fushës.

“Vlen të theksohet se 05.07.2018 nga Drejtoria e Inspektoprateve  z.Irfan Fusha i është bërë Kallzim Penal për heqjen apo dëmtimin të vulave apo shenjave zyrtare  neni 4141 te Kodit Penal të R.Kosoves  dhe për punime ndërtimore të kundër ligjshme neni 368 te kodit penal të R. Kosoves 04/L-82”, tha Thaçi.

I pyetur nga KALLXO.com, pronari i këtij objekti Fusha ka pranuar se kanë tejkaluar lejen ndërtimore dhe se janë pajtuar me rrënimin.

“Nuk mundem me vlerësu se a është çështja politike. Ne kemi pakëz tejkalim kështu që jemi në pritje ligjin. Jemi pajtuar me rrënimin. Nuk kam njohuri se a më kanë dërguar kallëzim penal apo diçka. Ne kemi pasur një tejkalim, por jemi në pritje të aprovimit të ligjit për legalizim”, tha Fusha për KALLXO.com.

Fusha është kontaktuar edhe njëherë nëse ka nisur rrënimin e objektit.

“Ne po shpresojmë që Ministria do të zgjedhë këtë punë, kemi shpresë se ka dalë ligji për legalizim dhe me  vendimin e ministrisë kemi apliku për legalizim dhe të shohim. Jo nuk po e rrënojmë vetë, kemi afat, kemi kërkuar brenda 90 ditëve. Nëse nuk zgjidhet shnosh kofshim, a e rrënojmë a jo është puna jonë”, ka thënë ai.

Kërkesën e afatit shtesë për rrënimin vullnetar të objektit e ka konfirmuar edhe drejtori i inspektoratit.

Më pas, inspektori përgjegjës pranon kërkesën dhe ndërprenë rrënimin  me proces verbal dhe deklarim të z.Fusha me shkrim.

Pajtimi i pronarit të ‘Abi-Qarshia’, me rrënimin ka ngritur dyshime te Drejtoria e Inspektoratit, e cila thotë se vendimet e MMPH-së janë të njëanshme.

“Përkundër se në procesverbal, pala është deklaruar se do ta rrënojë vetë pjesën e objektit e cila është ndërtuar në hapësirën e paraparë për rrugë komunale, zyrtarët e kësaj ministrie i kanë dërguar një vendim Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës, i cili e anulon vendimin ku pala ka pranuar vetë të bëjë rrënimin”, thuhet në një reagim të Komunës së Prizrenit.

Sipas tyre, vendimi i ministrisë nuk është i bazuar, pasi mbështetet pjesërisht në procesverbal.

“Që të jetë situata më absurde, ky vendim i zyrtarëve të kësaj ministrie bazohet vetëm në një paragraf të procesverbalit dhe jo të procesverbalit në tërësi. Nxjerrja nga konteksti i një vendimi të zyrtarëve komunalë dhe mos konsultimi i palës tjetër (Komunës, në këtë rast) para se të merret vendimi, është i pazbatueshëm dhe e dëmton interesin publik. Ky vendim nuk ka bazë ligjore që mundëson mosveprimin e zyrtarëve komunalë te rasti në fjalë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Lidhur me pretendimet e ngritura nga Drejtoria e Inspektoratit në Prizren, KALLXO.com ka kërkuar komente dhe informacione nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor por të njëjtit nuk janë përgjigjur tash e 14 ditë

Asnjë koment

Comments are closed.