Ndalohen 15 persona, dyshohen se përmes E-Banking dhe ATM-ve të Raiffeisen tërhoqën 186 mijë euro
Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se, pas një operacioni të koordinuar hetimor, janë ndaluar pesëmbëdhjetë (15) persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale të mashtrimit kompjuterik dhe keqpërdorimit të kartelave bankare.
Të dyshuarit, me inicialet B.B., B.S., I.A., R.I., A.H., B.J., B.B., B.M., D.G., E.G., E.A., B.M., A.M., A.I. dhe Sh.M., dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar gjatë periudhës janar – tetor 2024 në komunën e Vitisë, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë ndërhyrë në funksionimin e sistemit kompjuterik të një institucioni bankar, duke shfrytëzuar një hapësirë kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit ndërmjet transaksioneve të E-Banking dhe ATM-ve të Raiffeisen Bank, për tërheqje të shumave të ndryshme parash.

Si pasojë, është shkaktuar një dëm material në shumë prej 186 mijë euro.
Prokuroria ka njoftuar se do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, ndërsa thekson përkushtimin e saj për të luftuar krimet që cenojnë sigurinë dhe integritetin e sistemeve financiare në vend.