Ndër dështimet e shumta, Komuna e Prizrenit edhe me mungesë transparence (Dokument)
Ndër dështimet e Komunës së Prizrenit sipas MPL-së është edhe ai që i takon transparencës.
Kjo komunë madje është radhitur në pjesën e poshme të tabelës, në vendin e 22-të, apo me poshtë se të gjitha komunat e rajonit tonë.
Rangimi i komunave është bërë nga Ministria e Pushtetit Lokal, që në këtë fushë ka matur, publikimin e dokumenteve të prokurimit publik dhe kontratave, publikimin e dokumenteve për planifikim dhe shpenzime të buxhetit, publikimin e akteve me karakter të përgjithshëm të miratuara nga kryetari i komunës, publikimin e akteve të miratuara në kuvend komunal, përmbushjen e kritereve të faqes zyrtare elektronike të komunës, nivelin e qasjes në dokumente publike nga qytetarët dhe publikimin e mbledhjeve të kuvendit.
Sa i takon transparencës, Komuna e Prizrenit është vlerësuar me 77.51 për qind duke u ranguar në vendin e 22, transmeton Gazeta e Prizrenit.
Do theksuar se ka komuna tjera që kanë treguar deri në 100% transparencë.
Para Prizrenit jo vetëm që janë shumë komuna të mëdha si Peja, Gjakova, Ferizaji, por edhe ato më të vogla si Vushtriia, Klina, Shtimja, etj. Po ashtu para Prizrenit janë edhe komunat më të vogla të rajonit tonë, si Rahoveci që është ranguar në vendin 5, Suhareka në atë të 10 dhe Malisheva që zë vendin e 19-të.
Do theksuar se Komuna e Prizrenit nuk ka dalë mirë as sa i përket performancës së përgjithshme komunale, madje është ranguar në mesin e komunave nën mesatare.
Lexo edhe:
Komuna e Prizrenit del keq sa i përket Perfomancës (Dokument)
Raporti i Ministrisë së Pushtetit Lokal tregon për 36 komuna të Kosovës ku edhe janë bërë matjet në 19 fusha të ndryshme. Vlerësim i këtij viti ka pasur në fokus pasqyrimin e të arriturave për 38 komuna. Kërkesës për raportim nuk i janë përgjigjur Komuna e Mamushës dhe Dragashit, të cilat nuk kanë dorëzuar formularët e raportimit, përcjell Gazeta e Prizrenit.