25-04-2024

Ndërprerje të gjata të energjisë elektrike në disa fshatra të Prizrenit e Hasit

Një pjesë e lagjes Arbana të Prizrenit, fshatit Atmagjë, pastaj Landovicës dhe fshatrave të Hasit të Prizrenit po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, ndërkohë që në KEDS, thonë se kjo gjendje është për shkak të prishjeve në rrjet, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

Kjo situatë, pos banorëve ka goditur edhe bizneset, të cilët deklarohen se po përballen me shpenzime të larta të gjeneratorëve.

Herolind Hoti, nga pika  e karburanteve Patroni, tha se një situatë e tillë është që nga fillimi i gushtit, ndërsa ndërprerjet janë nga 5 e madje deri në  10 orë brenda ditës.

“Jemi në një situatë të ngjashme sikur menjëherë pas lufte. Në këtë pjesë gjendjen mbi 100 biznese, dhe  kemi dëme të konsiderueshme me gjeneratorë ku shpenzimet ditore janë 100 deri 150 euro naftë”, ka thënë ai për portalin “Gazeta e Prizrenit”.

Të pyetur rreth kësaj në KEDS janë përgjigjur se një situatë e tillë është për shkak të prishjeve në rrjet, që ka diktuar ndalje të herëpashershme, të energjisë elektrike.

“KEDS do të ndëmarrë disa aksione në atë pjesë për përforcim dhe mirëmbajtje të rrjetit në mënyrë që të zvogëlohet numri i prishjeve”, thuhet në përgjigjen e tyre. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.