26-04-2024

Ndërron jetë Halim Haxhijaha, drejtori i kompanisë “Haxhijaha” në Rahovec

Ka vdekur veprimtari dhe drejtori i kompanisë “Haxhijaha”, Halim Haxhijaha.

Njoftimin për vdekjen e tij e ka dhënë në Facebook, kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, i cili ka shprehur dhimbjen që ka përjetuar me të marrë lajmin.

“Sot, ky mëngjes i hershëm na erdhi i dhimbshëm nga lajmi për vdekjen e mikut tim të çmuar, veprimtarit dhe kontributdhënësit për Rahovecin në veçanti, si dhe për shoqërinë dhe shtetin tonë në përgjithësi, z. Halim Haxhijaha. Baca Halim ishte drejtor i kompanisë “Haxhijaha” si një kompani me fushëveprimtari të ndryshme dhe shumë e suksesshme në tregun vendor dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Latifi.

Latifi ka theksuar se përkundër ikjes së hershme të Haxhijahës, puna dhe përkushtimi i tij do të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e reja.

“Baca Halim, ikja jote e hershme na fali dhimbje e boshllëk, por puna dhe përkushtimi yt le të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e reja! Shpirti yt i madh pushoftë në parajsë! Do të kujtojmë gjithmonë si një njeri me virtyte të larta, familjar i mirë e ekonomist dhe afarist i zoti! Puna jote-shembëlltyrë për ne! Ngushëllime të sinqerta familjes Haxhijaha, farefisit dhe gjithë miqve!”, ka shkruar Latifi në fund.

Asnjë koment

Comments are closed.