24-11-2024

Ndërtimi i kompanisë ‘El Pika’ mbi gypat e ujit në Prizren, komuna e Totajt hesht – pronari thotë se s’ia ka haberin

Defekti i rrjedhjes së ujit në gypin furnizues Ø 350mm në rrugën “Tirana” u bë ‘sebep’ që të zbulohej se gypat ndodhen nën bazamentin e një objekti dhe për pasojë u pamundësua sanimi i problemit, si pasojë e rrezikut që mund të shkaktohej.

Komuna e Prizrenit i ka dhënë lejen e ndërtimit para disa vitesh kompanisë “El Pika” të Agim Demollarit, për çka ky i fundit e ka konfirmuar se është i pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme, edhe pse nën objekt ndodheshin gypat e ujësjellësit.

Për këtë çështje, komuna që udhëhiqet nga Shaqir Totaj siç duket ka vendosur të hesht për këtë çështje, duke mos kthyer në përgjigjet e Sinjalit për sqarime lidhur me lejen e lëshuar për ndërtim.

Ujësjellësi ka njoftuar se ditën kur është konstatuar vendndodhja e defektit, janë urdhëruar zyrtarisht që t’i ndërpresin punimet për shkaqe sigurie, pasi verifikimit nga ekipi i emergjencave dhe inspektorati komunal.

Teksa akoma s’dihet se cilat janë veprimet e ndërmarra nga Komuna e Prizrenit, pronari i këtij objekti në rrugën “Tirana” ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni që gypat janë nën lokacionin ku është ndërtuar objekti.

Sinjali ka kontaktuar Agim Demollarin për t’i kërkuar shpjegime për këtë situatë, tha se kanë pasur informacione që tubi i ujit kalon në atë pjesë, por jo që ndodhet pikërisht nën objekt.

Madje, ai thotë se në kohën kur është ndërtuar objekti kanë marrë pëlqime nga institucionet dhe më pas kanë vazhduar me ndërtim, me arsyetimin se gjithçka ka qenë në rregull.

“Saktësisht nuk e di ku është i ndërtum objekti, a është mbi tubin e ujit apo ku, por objekti është i pajisur me leje ndërtimi dhe të gjitha. S’kemi qenë në dijeni për gypat. Tubi ka qenë nën tokë, askush s’e ka ditë që ka tub të ujit. Mu askush nuk më ka kontaktu. Mesa e di unë, objekti është përreth tubit të ujësjellësit – se unë jom pajis atëherë me pëlqime para se me marrë lejen e ndërtimit. S’kom pasë asnjë ndalesë, jom pajisë me dokumente. Para disa vitesh është maru ajo, nuk më kujtohet saktësisht. Më kanë thënë që tubi i ujit kalon këtej, por askush nuk e ka ditë ku kalon” – tha Demollari për Sinjalin.

Edhe pse komuna ka vendosur që të mos deklarohet, Sinjali do të kërkojë sërish përgjigje për dosjen e rastit, lejen e lëshuar dhe dokumentet tjera zyrtare.

Çka thonë nga KRU Hidroregjioni Jugor?

Pas njoftimit të 3 gushtit, ku Ujësjellësi bëri të ditur për këtë problem, në disa postime të tjera në Facebook, u njoftuan qytetarët se punimet kanë vazhduar.

Në një përgjigje për Sinjalin, KRU Hidroregjioni Jugor tha se punimet kanë vazhduar, por kanë ndryshuar përkohësisht trasenë e gypit ekzistues derisa të zgjidhet problemi.

“Punimet kanë vazhduar me qëllim që të bëhet furnizimi me ujë për zonat e afektuara sipas defektit, sipas gjendjes faktike në teren gypi ka qenë në një objekt afarist i cili është ndërtuar pas instalimit të gypit në atë pikë.

Ne nuk kemi njohuri se objekti a ka qenë me leje apo jo nga institucionet relevante.

Plasaritja e gypit ka qenë saktësisht nen objekt dhe për atë ka qenë e rrezikuar puna për sanimin e defektit. Prandaj  me qëllim të normalizimit të situatës për furnizimi të qëndrueshëm me ujë për konsumatorët  e afektuar  është ndryshuar trasea e gypit (devijimi nga trasea ekzistuese).

Ne kemi ndryshuar trasenë e gypit ekzistues nëpër një linjë të re e cila është e përkohëshme  deri në zgjidhjen e një projekti të ri për dislokimin e përkohëshëm të linjës në fjalë

Asnjë koment

Comments are closed.