25-11-2024

Ndryshimi i klimës: Dyfishohen ditët me temperatura mbi 50 gradë në Tokë

Numri i ditëve ekstremisht  të nxehta çdo vit kur temperatura arrin 50 C është dyfishuar që nga vitet 1980, sipas një analize të re nga BBC.

Për më tepër, ditët e nxehta po ndodhin në më shumë vende të botës sesa në të kaluarën, një shenjë tjetër e ndryshimit të klimës që tani po merr karakteristikat e një krize, duke kërcënuar  stilin e jetës së shumë njerëzve dhe shëndetin e tyre, si edhe mjedisin.

Mesatarisht midis viteve 1980-2009  ditët me temperaturat mbi 50 gradë ishin  rreth 14 ditë në vit. Por ky numër pothuajse u dyfishua midis viteve 2010-2019, duke arritur në 26 ditë në vit.

Në të njëjtën kohë, temperaturat mbi 45 gradë tani po ndodhin mesatarisht dy javë më shumë  në një vit, sesa në të kaluarën.

Analiza e re gjithashtu tregon se gjatë dekadës së fundit temperaturat maksimale janë rritur me 0.5 gradë Celsius në krahasim me mesataren e viteve 1980-2009.

Në disa zona (Evropa Lindore, Afrika e Jugut, Brazili) rritja e temperaturave maksimale tejkaloi një shkallë, ndërsa në Arktik dhe Lindjen e Mesme dy gradë në krahasim me dekadat e mëparshme.

“Rritja e temperaturave mund t’i atribuohet 100% djegies së lëndëve djegëse fosile,” tha Dr Friedrich Otto, zëvendës drejtor i Institutit të Universitetit të Oksfordit për Ndryshime Mjedisore.

“Duhet të veprojmë shpejt. Sa më shpejt të zvogëlojmë emetimet tona (të karbonit), aq më mirë do të jemi, përndryshe jo vetëm që incidentet e nxehtësisë ekstreme do të bëhen më të rënda dhe të shpeshta, por edhe reagimi dhe shërimi i urgjencës do të jetë i vështirë,” tha studiuesi i klimës Dr. Sihan Lee nga Shkolla e Gjeografisë dhe Mjedisit të Oksfordit.

Ndërsa temperatura mesatare në Tokë rritet, temperaturat ekstreme bëhen më të shpeshta, duke rritur rrezikun e problemeve shëndetësore, vdekjeve, thatësirave, zjarreve në pyje, shkretëtirëzimit, etj.

Temperaturat 50 gradë ndodhin më shpesh në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit, por edhe në vendet mesdhetare evropiane, si Greqia dhe Italia, të cilat përjetuan valë të nxehta temperaturash këtë vit, termometri arriti përkatësisht në 47 deri në pothuajse 49 gradë, ndërsa në Kanada 49.6 gradë./Ora News/

Asnjë koment

Comments are closed.