22-11-2024

Në 20-vjetorin e rënies, dëshmori Hysni Temaj shpallet “Hero i Kosovës”

Shkruan: Bashkim Kajdomçaj

Në 20-vjetorin e rënies, në përkujtimin e të rënëve në Koshare, në mesin e shumë ish-bashkëluftëtarëve dëshmorë, Presidenti Hashim Thaçi me vendim e shpalli Hysni  Temajn “Hero i Kosovës”.

Hysniu ra në betejën e Koshares. Ai u lind në Kushnin-Has, më 1976. Ndonëse punonte si bukëpjekës, i frymëzuar me ide patriotike dhe duke parë që në skenë doli UÇK-ja, ai kishte kërkuar rrugët për t’u kyçur drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare.

Bashkë me të atin Sylën, në verën e vitit 1998 shkon në Drenicë, ku qëndroi tre javë, prej nga mori detyrat dhe u kthye në shtëpi, për të vazhduar veprimtarinë si pjesëtarë i UÇK-së, në ZOD, ndërkohë, që kishte kaluar disa herë kufirin, Kosovë-Shqipëri, në Pashtrik, kur kishte shoqëruar luftëtarët, për armatim.

Meqë ishte njohës i mirë i kufirit shpesh kishte pritur e përcjellë çlirimtarët.

Pas ofensivave serbe dhe përndjekjeve nga policia dhe ushtria serbe, ai vazhdoi veprimtarinë bashkë me civilë të tjerë, duke kërkuar rrugë të tjera për tu rikyçur në radhët e UÇK-së.

Në fillim të vitit 1999 shkon në qendrën stërvitore të UÇK-së në Kalimash. Aty, bënë përgatitjet e duhura ushtarake,  ndërsa pas një muaji dërgohet në frontin e Koshares. Ishte i zellshëm dhe i përpiktë në detyrat që i shtronte komanda. Kishte detyrën e ushtarit të këmbësorisë, ku ishte pjesëtarë i Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, që vepronte në kuadër të Brigadës 138.

Në luftimet e përgjakshme të thyerjes së kufirit në Koshare, më 10-të prill ishte pjesëmarrës aktiv. Bie heroikisht më 19 prill 1999, tek vendi “Rrasat e Koshares”, në vijën e parë të frontit bashkë me eprorin Sali Çeku e disa luftëtarë të tjerë.

Varrimi i tij u bë të njëjtën ditë në Bajram Curr të Shqipërisë,  me nderime ushtarake, ndërsa më 15 shtator 1999 u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, bashkë me dëshmorët e tjerë.

Në përkujtimin e Hysni Temajt, në fshatin e lindjes është ngritur përmendorja, ndërsa Komuna e Prizrenit, më 2012 emrin e tij ia ka vënë shkollës së vendlindjes,  fshatit Kushnin. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.