Në Billushë e Caparc të Prizrenit pritet ndriçimi i rrugëve
Derisa në fshatin Billushë të Prizrenit për herë të parë do të ketë ndriçim publik të rrugëve, në Caparc do të bëhet funksionalizimi i sistemit ekzistues. Në të dyja rastet poçet do të ndriçojnë menjëherë pas instalimit të matësve të rrymës, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Në një kumtesë të komunës, ndër tjera thuhet se rrjeti i ndriçimit të hapësirave publike nëpër lagje dhe fshatra është duke u zgjeruar në vazhdimësi, por nuk njoftohet saktësisht se kur pritet të bëhet instalimi i matësve.
“Këto ditë, Komuna është duke instaluar ndriçim në fshatra të bukura, Billushë dhe Caparc, me shtrirje prej 5 km për secilin lokalitet. Poçet e instaluara sigurojnë më shumë ndriçim, ndërsa shpenzojnë më pak energji se sistemi ekzistues. Në përgjithësi, me zgjerimin e rrjetit të ndriçimit po krijohen hapësira të reja publike dhe po rritet siguria për qytetarë. Zgjerimi i rrjetit nëpër lagje dhe fshatra vazhdon me planin dinamik të Komunës”, thuhet në njoftim.