26-04-2024

Në kohën e Berishës u miratua Ligji që i hapte rrugë hetimeve të Hagës për luftën e UÇK’së në Shqipëri

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në kohën sa drejtonte ekzekutivin kishte propozuar që Shqipëria t’i ofrojë bashkëpunim të plotë gjyqësor dhe të gjithashnshëm Task Forcës Hetimore Speciale e EULEX’it të cilën e ka udhëhequr prokurori amerikan Clint Williamson.

Clint Williamson ishte caktuar si Prokuror Special i Bashkimit Evropian për të hetuar krimet e pretenduara të Shqiptarëve të Kosovës gjatë dhe pas luftës së vitit 1999, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Prizren: Përsëri tre të vdekur me Covid, por sot më pak të infektuar

 

Ligji për Marrëdhëniet Juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën Hetimore Speciale të EULEX’it ishte propozuar nga Këshilli i Ministrave i qeverisë Berisha në vitin 2012.

Në nenin 20 të këtij ligji thuhet se në rast se Task Forca e EULEX’it kërkon kryerjen e një kontrolli, autoritetet gjyqësore vendore dhe çdo organ tjetër kompetent i Republikës së Shqipërisë, që mund t’i kërkohet të bashkëpunojë në ato aktivitete do të bashkërendohet nga Prokurori i Përgjithshëm në bashkëpunim me Ministrin e Drejtësisë.

Aktakuza e Prokurorit Special për Hashim Thaçin, Kadri Veseli, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në versionin e redaktuar përmenden edhe vendbanimet në Shqipëri konkretisht në Kukës dhe Cahan.

Aty pretendohet se midis prillit dhe qershorit 1999 në Cahan të Shqipërisë, disa anëtarë të UÇK’së ndër të cilët Sabit Geci mbajtën të ndaluar së paku 17 persona për periudha kohe të ndryshme në një dhomë në kazermën ushtarake të UÇK-së në Cahan, rrethi i Hasit, Shqipëri. Të ndaluarit u vunë nën masa kufizuese fizike dhe u mbajtën në një qeli të kyçur dhe/ose nën rojë të armatosur. Disa të ndaluar në Cahan u transferuan nga ose për në qendra të tjera të ndalimit të UÇK-së.

Ndërkaq pika 79 e aktakuzës përmendet qyteti i Kukësit në Shqipëri ku Midis majit dhe qershorit 1999, disa anëtarë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit Geci, mbajtën të ndaluar së paku 20 persona për periudha kohe të ndryshme dhe pa proces ligjor të rregullt në një ish-fabrikë metali në Kukës, rrethi i Kukësit, Shqipëri. Të ndaluarve iu konfiskuandokumentet e udhëtimit dhe gjësendet personale. Ata u vunë nën pranga, u lidhën dhe u mbajtën nën rojë të armatosur në dhoma të kyçura dhe me dritare me shufra hekuri. Disa të ndaluar në Kukës u transferuan nga ose për në qendra të tjera ndalimi.

Pjesë nga aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020. Në pajtim me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë moment.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së./Express/

 

Asnjë koment

Comments are closed.