Në Kukës inaurugohet busti i Hasan Prishtinës
Në Kukës, sot do të bëhet inaugurimi i bustit të heroit, Hasan Prishtina.
Ky aktivitet nis nga ora 14:00 dhe realizohet nga Bashkia e Kukësit, në bashkëpunim me Fondacionin “Hasan Prishtina”.
Ngjarja zhvillohet pranë Pallatit të Kulturës, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv
Historiku i Hasan Prishtinës:
Hasan Prishtina lindi më 1873 në Vuçiternë në një familje me tradita të larta patriotike. Shkollën fillore dhe disa klasë të gjimnazit i mbaroi në vendlindje. Në qytetin e tij të lindjes dhe në shkollë njihej me emrin Hasan Vuçiterni, dhe meqë rridhte prej një familjeje e cila kishte arritur autoritet dhe pushtet, ai shkoi së pari në Selanik ku përfundoi liceun freng, ndërsa, studimet e larta ato të shkencave politiko-juridike i kreu në Stamboll.
Në vitet 1908-1912, u zgjodh deputet i Prishtinës në Parlamentin osman dhe prej këtu edhe mbajti dhe u nënshkrua me mbiemrin Prishtina. Në Parlamentin turk, ai u angazhua hapur së bashku me deputetët tjerë shqiptarë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Idetë revolucionare demokratike Hasan Prishtina i mori në Selanik gjatë shkollimit të tij, ku u përgatit me njohuritë mbi modernizmin evropian të kombeve, dhe atë në frymën e Revolucionit Demokratik Borgjez Francez. Meqenëse rridhte nga një familje e cila ishte në pozita të larta dhe me shumë ndikim në Vilajetin e Kosovës së atëhershme, për një kohë të shkurtër arriti edhe në pozitën e kryekonsullllit të shtetit të Turqisë. Kështu, ai mjaft herët u njoh me mekanizmin dhe nevojat e shtetit si organizëm kombëtar.
Në fillim të vitit 1912, së bashku me Ismail Qemalin, ishte ndër nismëtarët për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri ku u shqua si udhëheqësi kryesor. Me themelimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u zgjodh anëtar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919, Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris, ku do të kërkonte bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar si të Kosovës por edhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.
Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës më 1920, ndërsa, në prill të vitit 1921, u zgjodh deputet i Dibrës në Parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit 1921 kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit. Hasan Prishtina ishte një nga drejtuesit e organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit të vitit1922.
Gjatë viteve 1922 dhe 1923 u shqua si kundërshtar i vendosur i reaksionit të brendshëm.
Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e “Zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit serb.
Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e Revolucionit Demokratik-borgjez të qershorit të vitit 1924, ku luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga ky revolucion.
Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë. Pas dështimit të revolucionit të vitit 1924 u largua jashtë atdheut. Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarkofashiste, kundër tiranisë zogiste në Shqipëri dhe zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë.
Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina luftën çlirimtare në Kosovë u përpoq ta lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja.
Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë, gjë që do të arrihej sipas tij, me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit. Katër herë armiqtë organizuan kundër tij atentate me armë. Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali e vegla e Serbisë Esat Toptani, si dhe qarqet shoviniste serbe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut.
Më 13 gusht të vitit 1933, u vra në Selanik nga një atentator i regjimit të Ahmet Zogut në bashkëpunim me qeverinë jugosllave.
Hasan Prishtina ka lënë një varg artikujsh si edhe kujtimet e tij për kryengritjen antiosmane të 1912 që kanë vlerë për historinë e lëvizjes sonë kombëtare e demokratike.
Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës u sollën nga Selaniku në Shqipëri, ku u bë rivarrimi i tij në Varrezat e Dëshmorëve në Kukës që të prehej sa më afër Kosovës.