28-04-2024

Rast i rëndë në Francë: Afër Parisit gjenden trupat e katër fëmijëve e nënës së tyre

Prokurorët në Francë kanë nisur një hetim për vrasje, pasi trupat e pesë personave u gjetën në një qytezë në verilindje të Parisit.

Sipas raportimeve të mediave lokale, viktimat janë një grua dhe katër fëmijët e saj të vegjël, raporton televizioni BBC.

Trupat e tyre u gjetën në qytezën Meaux, e cila ndodhet pak më larg se 40 kilometra nga kryeqyteti francez. Prokurori lokal i tha agjencisë AFP se ata u gjetën në një banesë.

Sipas uebfaqes lokale të lajmeve, “Actu17”, e cila raportoi e para për këtë rast, policia është duke e kërkuar babanë 33-vjeçar të fëmijëve, i cili ndodhet në arrati.

Prokurori Jean-Baprise Bladier u konfirmoi mediave franceze se shërbimi i policisë gjyqësore në Versajë është duke e hetuar rastin.

Në rajonin e Parisit kohëve të fundit janë regjistruar një varg rastesh me vrasje të fëmijëve.

Në fund të nëntorit, një burrë 41-vjeçar tregoi se si i kishte vrarë tri vajzat e tij, nga mosha 4 deri në 11-vjeçare, dhe u dorëzua në policia. Policia i gjeti ato të vdekura në shtëpinë e burrit në qytezën Alfortville, në juglindje të Parisit.

Në tetor, një polic i vrau tri vajzat e tij para se ta vriste edhe veten në shtëpinë e tij në Vemars.

Asnjë koment

Comments are closed.