24-11-2024

Në Malishevë shtyhet seanca për gjuajtje me armë ndaj Dardan Gashit, Endrit Shalës, Sami Lushtakut e të tjerëve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerët, të hënën, kanë dal para Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Por, në këtë seancë, ata nuk kanë mundur të deklarohen rreth fajësisë, pasi që gjykimi është shtyrë për një ditë tjetër.

Ata akuzohen lidhur me gjuajtjet me armë, që kishte ndodhur në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, në Banjë të Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një plotësim i ekspertizës i është dorëzuar zëvendëskryeministrit Dardan Gashi, por që prokurori Ismet Tofaj ka kërkuar që një e tillë tu dorëzohet të gjithë të akuzuarve dhe jo vetëm atij.

Prokurori Tofaj ka thënë se është vërtetuar që armët e përdorura kanë qenë me gaz, por sipas tij, këto mund të adaptohen si të vërteta.

Mbrojtësi i Dardan Gashit, avokati Arianit Koci, ka propozuar që kjo seancë të shtyhet, pasi sipas tij, kjo provë e re që kanë marr sot, i duhet kohë për tu përgatitur.

Me këtë propozim, janë pajtuar edhe të akuzuarit e tjerë.

Këtë më pas e ka aprovuar gjykatësi Nijazi Morina dhe seancën e ka shtyrë më 27 shkurt 2019, nga ora 10:00.

Ata akuzohen për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza kundër Lushtakut, Gashit dhe Shalës ishte ngritur pas një video të publikuar në media në fund të vitit të kaluar.

Kjo video kishte të bënte me festën që Limaj kishte organizuar në Malishevë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tij në rastin e njohur si “MTPT”.

Në këtë video shihej Lushtaku, Gashi dhe Shala duke shtënë me armë nga dritarja e odës ku mbahej festa.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2018, të pandehurit Dardan Gashi, Endrit Shala, Sami Lushtaku, Behar Amerllahu, Fadil Demiri akuzohen se secili prej tyre ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “ nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dardan Gashi akuzohet se deri më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe të  cilat armë me ligj kategorizohen si armë zjarri të ndaluara.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Gashi gjatë ahengut kishte hapur dritaren e odës dhe me armë me gas të llojit “GAP” kal. 9 mm dhe një karikator, të pranuar nga i akuzuari Fadil Demiri, kishte shtënë në ajër disa herë dhe një armë e tillë ishte sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Për këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Gashi se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, të akuzuarin Endrit Shala, prokuroria e ngarkon se deri më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municion në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës, e të cilat armë me ligj kategorizohen si armë zjarri të ndaluara.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Shala akuzohet se gjatë ahengut familjar, pasi i ishte hapur dritarja e odës nga Durim Limaj, me armë gjysmë automatike të pranuar nga i akuzuari Sherif Kastrati, ka shtënë në ajër disa herë. Kjo armë pastaj ishte sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, Endrit Shala ka kryer veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në vazhdimësi, nga neni 374, par. 1 lidhur me nenin 81 të KPRK – së.

Prokuroria e ngarkon Sami Lushtakun me veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Kjo sepse, sipas prokurorisë, më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Lushtaku, gjatë ahengut familjar, e hap dritaren e odës dhe me armë me gaz, të pranuar nga i akuzuari Behar Amerllahu shtien në ajër disa herë. Kjo armë dhe karikatori janë sekuestruar dhe gjenden në Stacionin Policor në Malishevë.

Me aktakuzë akuzohet edhe Behar Amerllahu, se më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar. Arma me karikator është sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Aktakuza e ngarkon Behar Amerllahun, me veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Sipas prokurorisë, Fadil Demiri, më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës. Kjo armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar, andaj dhe arma me karikator është sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.

Me këtë, sipas aktakuzës, Fadil Demiri, ka kryer veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.

Prokuroria njësoj e akuzon edhe Sherif Kastratin, për të cilin në aktakuzë thuhet se më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e  cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar.

Sipas aktakuzës, gjatë ahengut familjar, arma është përdorë nga i akuzuari Endrit Shala, duke shtënë në ajër. Ndërsa, pas publikimit të video-incizimit nga mediumi KTV, emisioni Interaktiv, arma është gjetur me një karikator dhe e njëjta është sekuestruar, e tani gjendet në Stacionin Policor në Malishevë. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.