26-04-2024

SBASHK-u thotë se s’ka kërkuar mos dekretim por s’është as kundër

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në Kosovë ka njoftuar se nuk ka bërë asnjë kërkesë pranë Presidencës së Kosovës për mos dekretim të projektligjit për paga.

Këtë e konfirmuar nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, e cila ka shtuar se SBAShK nuk është as kundër idesë për mos dekretim te projektligjit nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi kjo do të jepte mundësinë që të gjitha palët e interesit të ulen dhe të propozojnë një projektligj të ri.

 

“Nëse presidenti i Kosovës nuk e dekreton ligjin e pagave SBAShK-u nuk do të jetë kundër, pasi që edhe gjatë grevës një prej opsioneve ishte edhe tërheqja e projektligjit të pagave dhe kthimi i tij në Qeveri ashtu që do të ulen institucionet, sindikatat dhe punëtorët dhe do ta bëjnë një ligj të ri të pagave ku mësimdhënësit do t’i rendiste në vend më meritor dhe do të ishte një ligj i pagave i pranueshëm nga të gjithë sektorët publikë”, thuhet në deklaratën e nënkryetares Shala.

 

SBAShk konfirmon se mësimdhënësit e arsimit fillor janë të pakënaqur me koeficientin e tyre në ligjin e pagave, por Shala thotë se të njëjtit duhet të bëjnë ankesë dhe më pas të shikohet për një zgjidhje për këtë kategori mësimdhënësish.

“Mësimdhënësit fillorë janë të pakënaqur pasi ata e kanë koeficientin për 0.15 më të vogël se arsimi i mesëm i ulët. Nëse ata duan të shkojnë përmes SBAShK-ut, atëherë fillimisht duhet t’i drejtohen së pari kryetarit sindikal të shoqatës, kryetarit të sindikatës së arsimit fillor të Kosovës e deri në kryesinë e SBAShK-ut për gjetjen e një zgjidhje më të mirë të mundshme edhe për nivelin fillor. Nëse mësimdhënësit e arsimit fillor bëjnë kërkesë për mos dekretim të ligjit, ne prapë nuk jemi kundër”, përfundon deklarata e nënkryetares së SBAShK, Vjollca Shala.

Asnjë koment

Comments are closed.