“Në Mes” nominohet për çmimin e madh të Akademisë Europiane të Filmit
Muaji tetor në rrugëtimin e begatshëm të filmit të shkurtër dokumentar “Në Mes” nga autori Samir Karahoda do të mbahet në mend me çmimin e fituar në festivalin Qipriot të Filmit të Shkurtër (International Short Film festival of Cyprus) që e nominon filmin nga Kosova për çmimin prestigjioz të Akademisë Europiane të Filmit në vitin 2020.
“Është një lajm jashtëzakonisht i madh si për mua e po ashtu edhe për kinematografinë Kosovare”, u shpreh autori i filmit Samir Karahoda. “Kjo më së miri e dëshmon vlerën që ka puna jonë ku edhe njëherë dua te falenderoj komplet ekipin për punën e shkëlqyer dhe të gjitha familjet për kontributin e tyre në film.”
Juritë e pavarura në 24 festivale e bëjnë përzgjedhjen e filmit më të mirë të shkurtër të festivalit që automatikisht nominohet për të garuar në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër Europian. Pas të gjitha nominimeve në shtator të vitit 2020 një panel i ekspertëve të filmit të shkurtër dhe anëtarët e bordit të Akademisë Europiane të Filmit përzgjedhin 5 filma më të mirë që votohen nga 3500 profesionistë të filmit nga Evropa për përzgjedhjen e filmit më të mirë të shkurtër në Evropë.
“Këtë muaj e kemi pasur kalendarin e shfaqjeve shumë të ngjeshur” theksoi producenti i filmit Eroll Bilibani. “U prezantuam në shumë festivale por ky nominim që do të na mbajë nën ethe një kohë shumë të gjatë, për ne është shumë i veçantë.”
“Në Mes” këtë muaj u prezantua në BFI London Film Fest, El Gouna Film Festival në Egjipt, dhe e fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në DokuBaku të Azerbeixhanit. Këtë javë filmi poashtu arriti që ta ketë premierën në Amerikën Veriore në Chicago Film Festival, si dhe në Bosphorus Film Festival në Stamboll dhe në Uppsala International Short Film Festival në Suedi. Që nga premiera botërore në shkurt të këtij viti, “Në Mes” është shfaqur në mbi 40 festivale ndërkombëtare dhe ka fituar 5 çmime si filmi më i mirë në kategorinë ku ka garuar.
Filmi “Në Mes” është prodhim autentik nga Kosova dhe është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Bankës për Biznes, Komunës së Prizrenit dhe të Prishtinës.