05-05-2024

Në Prizren dështon gjykimi ndaj policit që akuzohet se pa dokumentacion lejoi të hynin në Kosovë punëtorë të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri

Shkak për mos mbajtjen e seancës së paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte mungesa e të akuzuarit Ajdini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit, gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se nuk ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 29 nëntor 2019, në ora 10:00.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 29 tetor 2019, i pandehuri Avni Ajdini akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se më 5 qershor 2019, rreth orës 12:53, në pikën kufitare të Vërmicës, si zyrtar policor, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka lejuar veturën e markës “Opel Zafira”, e cila drejtohej nga Enkeled Cala, së bashku me persona të huaj, punëtorë teknik të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri të hyjë në Republikën e Kosovës në kundërshtim me procedurat kufitare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ajdini, u ka mundësuar këtyre personave të hyjnë në Republikën e Kosovës pa dokumentacion adekuat të udhëtimit, pa pasaportë dhe pa vizë, duke mos kryer kontrollin kufitar dhe duke mos bërë verifikimin e tyre sipas ligjeve të Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.