23-04-2024

Në Prizren filloi operimin impianti për trajtimin e ujërave të ndotura urbane

Ka filluar sot operimin e fazës së parë, për 50.000 banorë të Prizrenit, impianti për trajtimin e ujërave të ndotura urbane, i pari i këtij lloji në Kosovë, mbështetur nga shteti gjerman, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prizrenit.

Në inaugurimin e këtij projekti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti theksoi rëndësinë e këtij impianti, veçanërisht për shkak të sfidave në rritje e sipër, që lidhen me mungesën e ujit në Kosovë.
Ripërdorimi i ujërave të ndotura pasi të jenë trajtuar është thelbësor për ta reduktuar ndotjen, për ta rritur cilësinë, për ta përmirësuar efikasitetin e shfrytëzimit të ujit dhe për t`i zvogëluar humbjet, tha ai.

Kryeministri bëri të ditur se në linjë me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe me fondet që Kosova do të përfitojë nga Bashkimi Evropian, do të investojmë në trajtimin e ujërave të zeza për ripërdorim në bujqësi, si dhe në grumbullin e trajtimin e ujërave të zeza urbane. U zotua që në bashkërendim me Ministritë e linjave për resurse ujore dhe shërbime ujore, do të investohet në krijimin e një brezi të ri të profesionistëve në këtë sektor vital për vendin tonë.

Deri më sot, në Kosovë janë trajtuar më pak se 1% e ujërave të ndotura të kanalizimit. Sipas një raporti të KDI-së, nga 326 projekte të planifikuara nga institucionet publike për ndërtimin e kanalizimeve, të cilat derdhen në lumenjtë e Kosovës, gjatë periudhës 2017-2019 kishin kontraktuar vetëm 8 prej tyre.

Me zhvillimet dinamike të kohëve të fundit, deri në fund të këtij viti pritet të lëshohen në funksion edhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura në Pejë e Gjakovë, me çka shkalla e trajtimit do të arrinte rreth 9% të popullsisë. Kurse deri në fund të vitit 2025, kjo shifër pritet të arrijë rreth 50% të popullsisë, kryesisht në qendrat e mëdha urbane, duke shtuar Prishtinën me Obiliq dhe Fushë Kosovë, Gjilanin, Ferizajn dhe Mitrovicën.

Krahas kryeministrit Kurti, në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë edhe përfaqësuesi i Ministrisë Federale gjermane për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, z. Volker Oel, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, kryetari i komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka dhe stafi e menaxhmenti i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ”Hidroregjioni Jugor dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.

Ky projekt ka kosto investimi të deritanishëm prej 19.5 milionë euro, ndërsa kosto totale pritet të arrijë vlerën rreth 22 milion euro.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e inaugurimit:

I nderuar përfaqësues i Ministrisë Federale gjermane për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, z. Volker Oel,
I nderuar ambasador i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde,
I nderuar kryetar i komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka,
Të nderuar staf dhe menaxhment i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ”Hidroregjioni Jugor”,
I nderuar Kryetar i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj
Të nderuar të gjithë ju të pranishëm,

Në nivel global mbi 80% të ujërave të ndotura të krijuara nga qytetet, industritë dhe bujqësia, kthehen në natyrë të patrajtuara. Kjo shkakton ndotje të rëndë mjedisore, është burim i sëmundjeve dhe sjellë rreziqe për ushqim të sigurt e ujë të pijshëm. Parashikohet që deri në vitin 2050, afër 70% e popullsisë së botës do të jetojë në qytete, krahasuar me 50% sa jetojnë sot. Aktualisht, shumica e qyteteve në vendet në zhvillim nuk kanë infrastrukturë ose burime adekuate për ta adresuar menaxhimin e ujërave të ndotura në një mënyrë efikase dhe të qëndrueshme. Kosova nuk përbën përjashtim.

Jemi vendi më i varfër në rajon sa i përket disponueshmërisë së ujërave, më saktësisht kemi 20% e mesatares së rajonit. Kemi më së paku të reshura vjetore, për kokë banori, 40% e mesatares së rajonit. Uji i akumuluar për kokë banori është 290 m3 në krahasim me 696 m3 sa është mesatarja në rajon, pra  jemi te 42% e rajonit!

Fatkeqësisht në Kosovë, akoma nuk bëhet menaxhimi i ujërave të ndotura, të cilat mbeten një ndër ndotësit kryesorë të ujërave sipërfaqësor. Në mungesë të sistemeve adekuate ato shkarkohen direkt në lumenjtë e vendit duke kontaminuar një pjesë të madhe të tyre.

Por, përmes sistemeve të trajtimit dhe riciklimit, ato mund të ripërdoren në procese industriale, bujqësi ose sisteme natyrore të ujërave të ëmbla. Lëvizja drejt një ekonomie qarkore të qëndrueshme kërkon që ne të rimendojmë rolin dhe ripërdorimin e ujërave të ndotura dhe llumit.

Prandaj, jam shumë i nderuar t’ju bashkohem sot për inaugurimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Prizren. Ky projekt me kosto investimi të deritanishëm prej 19.5 milionë euro, sot fillon operimin e fazës së parë, për 50.000 banorë nga 140.000 sosh, pra për 35% të qytetit.

Përkrahja e qeverisë gjermane dhe sidomos e KFW-së këtu në Kosovë, në sektorin e ujërave gjatë dy dekadave të fundit është shumë e vlefshme dhe e vlerësuar nga unë si Kryeministër, e nga secili anëtar i Kabinetit tim, dhe besoj thellësisht nga të gjithë hisedarët e sektorit të ujërave. Ne si Qeveri, e kemi mbështetur plotësisht këtë projekt, duke njohur rëndësinë e tij në nxitjen e zhvillimit të këtij sektori dhe ndikimin e rëndësishëm të tij mjedisor.

Ky impiant, dhe të tjerët që janë duke u ndërtuar, janë me rëndësi të jashtëzakonshme, veçanërisht për shkak të sfidave në rritje që lidhen me mungesën e ujit në Kosovë. Ripërdorimi i ujërave të ndotura pasi të jenë trajtuar është thelbësor për ta reduktuar ndotjen, për ta rritur cilësinë, për ta përmirësuar efikasitetin e shfrytëzimit të ujit dhe për t`i zvogëluar humbjet.

Deri më sot, në Kosovë janë trajtuar më pak se 1% e ujërave të ndotura të kanalizimit. Kemi pasur vetëm një impiant në Skenderaj dhe disa impiante të vogla rurale. Sipas një raporti të KDI-së, nga 326 projekte të planifikuara nga institucionet publike për ndërtimin e kanalizimeve, të cilat derdhen në lumenjtë e Kosovës, gjatë periudhës 2017-2019 kishin kontraktuar vetëm 8 prej tyre.

Me zhvillimet dinamike të kohëve të fundit, deri në fund të këtij viti presim t`i lëshojmë në funksion edhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura në Pejë e Gjakovë, me çka shkalla e trajtimit do të arrinte rreth 9% të popullsisë. Kurse deri në fund të vitit 2025, kjo shifër pritet të arrijë rreth 50% të popullsisë, kryesisht në qendrat e mëdha urbane, duke shtuar Prishtinën me Obiliq dhe Fushë Kosovë, Gjilanin, Ferizajn dhe Mitrovicën.

Në linjë me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe me fondet që Kosova do të përfitojë nga Bashkimi Evropian do të investojmë në trajtimin e ujërave të zeza për ripërdorim në bujqësi, si dhe në grumbullin e trajtimin e ujërave të zeza urbane.

Ndërtimi i një infrastrukture të tillë është risi te ne. Rrjedhimisht, menaxhimi i kësaj infrastrukture është një sfidë e cila kërkon njohuri profesionale dhe përgjegjësi si në çështjet teknike ashtu edhe në ato administrative. Prandaj duke e shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen në ndërtimin e këtij impianti, unë e vlerësoj lart interesin e qeverisë gjermane që ta ndihmojë kompaninë “Hidroregjioni Jugor” për operimin e tij gjatë kësaj faze fillestare.

Që të kemi kuadro profesionale në këtë sektor të ri për ne, është një ndihmesë e madhe që të përfitojmë nga përvoja gjermane. Në bashkërendim me Ministritë e linjave për resurse ujore dhe shërbime ujore, zotohemi që do të investojmë në krijimin e një brezi të ri të profesionistëve në këtë sektor vital për vendin tonë.

Ju faleminderit dhe mirë u takofshim në inaugurimin e impianteve në Pejë e Gjakovë.

Asnjë koment

Comments are closed.