24-11-2024

Në Prizren “gjallërohet” jeta e natës (foto)

Prizreni është qyteti i dytë për nga madhësia, pas Prishtinës si kryeqendër, por tashmë është “Kryeqyteti historik” i Kosovës. Jo vetëm nga vendorët, por edhe nga të huajt, Prizreni vlerësohet si qyteti më i bukur ndër viset shqiptare, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Një numër i madh i vizitorëve shqiptarë,  këtu bëjnë foto e postojnë nëpër internet me mbishkrimin “Në Prizren ma t’ bukurin vend”.  Pos gjallërisë dhe vizitave gjatë ditës, këtu tashmë janë shtuar edhe ato gjatë orëve të mbrëmjes, duke e shndërruar këtë në një qendër të ‘”gjallë” e me jetë të natës, çastet e të cilës zgjasin deri në orët e vona.

Prizreni tashmë nuk “pushon” nga bezdia e ditës së nxehtë dhe zhurmës së kolonave të automjeteve, përmes qytetit, shpesh të “teleisuara” për dasma e ceremoni familjare, të cilat këtu janë madhështore.

Qendra jugore e vendit merr frymë në ritmin e vet, të përzier me valët e lumit, që ndan qytetin, të cilin e bashkojnë shumë ura, ndër to edhe ajo e “Kaltra”, që njihet si “Ura e dashurisë”, e ku shumë qifte të reja “lidhin” në  dry dashurinë e tyre.

Mund të thuhet se këtu kryqëzohen kulturat. Prizreni ka lezetin e tij, në stilin “alla turka” e “alla franga”. E para mund të lidhet më tepër me traditën gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit,  që karakterizohet me pitajkat e famshme.  Gjatë këtij muaji gjallëria e vërtetë, nis pas iftarit e deri në syfyr, sidomos gjatë kohës verore.

Prizreni në modë, në stilin e tij përsëri e mban “Shatërvanin” e bukur,  duke e bërë natën ditë, e ditën natë,  jo vetëm gjatë kohës kur këtu mbahet festivali ndërkombëtar i filmit “DokuFest”,  që tashmë pas 17 edicioneve ka krijuar identitetin e tij, por Prizrenit si del “boja” edhe në kohë me vapë. Ka edhe organizime të tjera, si Panairi i librit, “Ngom fest”, “Sofra e mërgimtarëve, etj. Në ditë vere, këto ndikojnë edhe në zhvillimi e turizmit kulturor.

Edhe më energjik e bëjnë mërgimtarët,  të cilët ia japin “një infuzion” të mirë ekonomisë së këtushme. Si zakonisht bashkë me ndonjë veturë të tipit më të ri, ata sjellin edhe modën, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Kësisoj, mund të thuhet lirisht, se Prizreni tashmë ka jetë 24 orëshe. Edhe mbrëmjet po bëhen të veçanta. Ato në trend i mbajnë të rinjtë, të cilët më tepër janë të përqendruar në zonën qendrore. Si asnjëherë më tepër, këto ditë “shatërvani” ka qenë i mbushur me tavolina, aq sa në disa raste, kishte mbetur vetëm një “shteg” i ngushtë për të kaluar.  Në disa pjesë, “ndeja” bëhet në këmbë.  Nga të pranishmit, ka edhe shumë mysafirë nga qytetet tjera, e madje edhe nga ato të Shqipërisë.

Të rinjtë prizrenas: Drilon Gashi e Premtim Krasniqi, në humor thonë se nisur nga legjenda “nëse pi ujë, do të martohesh këtu” , të gjithë e sidomos vajzat kanë dëshirë të vijnë në Prizren,  për të pirë me shkas ujin e “Shatërvanit”.

Dalëngadalë tradicionalja po i bën “konak” modernes. / GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.