22-11-2024

Në Prizren, zona e ish-fabrikave u shndërrua në markete apo ndërtesa banesore

Shkruan:  Qazim Morina

Sot është 1 Maji. Kjo ditë njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Shkaku i pandemisë, që nisi dy vjet më parë,  një numër i madh i punëtorëve kanë humbur vendet e tyre të punës.  Referuar shënimeve rreth 3 mijë biznese janë mbyllur gjatë kësaj periudhe në Kosovë. Sa i përket Prizrenit ende nuk është publikuar ndonjë raport.

Gjendje e rëndë, sidomos në sektorin e gastronomisë e ka karakterizuar edhe Prizrenin, që dikur vlerësohej si një gjigant ekonomik.

Para tri dekadash qyteti gumëzhinte nga qarkullimi i autobusëve që transportonin punëtorët në tri turne. Kjo komunë deri në vitet e 90-ta,  në sektorin shoqëror ka pasur rreth 20 mijë të punësuar. Si qendra e dytë më e madhe në Kosovë, pas Prishtinës, Prizreni ka qenë një zonë bukur e fuqishme ekonomike gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

Produktet e disa prej fabrikave të Prizrenit si “Printeks-it” asaj të këpucëve “Cona Sport”, pastaj “Filigran-it”,  fabrikës “Progres” dhe të tjerave, kanë qenë të njohura jo vetëm në republikat e atëhershme jugosllave, por edhe në disa vende të rajonit.

Me instalimin e masave të dhunshme nga regjimi i Milosheviqit në Kosovë, në vitin 1990 nisi tatëpjeta për punën e tyre. Pjesa më e madhe e punëtorëve shqiptarë u përjashtuan nga puna.

Punëtorët s’u kthyen më në vendet e punës, shkaku i fillimit njëherë të procesit të komercializimit e më pastaj të privatizimit. Një pjesë e tyre tashmë janë në pension. Disa të tjerë janë shpërndarë në sektorin publik e privat.  Disa nga punëtoret ndodhen në mërgim.

Pas luftës në Kosovë, askush nuk pati vullneti ta riaktivizojë prodhimin, që për shkak të rrethanave të reja të ekonomisë kishte humbur tregun e dikurshëm. Ky proces nuk mundi të vinte në lëvizje makineritë e fabrikave, andaj nuk dha ndonjë shenjë shprese, e disa e vlerësuan edhe si proces të dështuar.

Objektet dhe lokacionet e disa ish-fabrikave u shndërruan në markete, hotele, depo, apo në vend të tyre u ngritën edhe godina afaristo-banesore. Pra, vendi ku dikur prodhohej dhe shërbente si pikë që sillte paratë për Prizrenin, tashmë është shndërruar në pikë prej nga mblidhen paratë për t’ia dërguar importueseve, kryesisht të jashtëm.

Prizreni nuk arriti ta ruaj as gjigantin e tekstilit “Printeks”,  as atë “Famipa”,  shtypshkronjën “Ramiz Sadiku” , pastaj kompanifabrikën e këpucëve “Cona-sport” e as furrën e bukës, të cilat do të mbeten vetëm si referencë suksesi të ekonomisë socialiste.

Dikur kanë ekzistuar rreth 40 ndërmarrje shoqërore në rajonin e Prizrenit. Pjesa më e madhe e tyre kanë kaluar në procesin e privatizimit.  Ato tashmë janë shitur  apo për disa pjesë ende vazhdon ky proces.

Sipas Mujë Krasniqit nga BSPK në Prizren, një analizë e bërë në vitin 2007 përmes një testi në 34 firma shoqërore, kishte treguar se në momentin e privatizimit në marrëdhënie pune aktive kanë qenë afër 11 mijë punëtorë,  ndërsa mbi 6 mijë sosh nuk ishin të aktivizuar. Shprehur në përqindje del se vetëm 45 për qind e tyre ishin aktiv.

Njohësit e fushës ekonomike vlerësojnë se problemi më i madh i privatizimit  ka të bëjë me faktin se Prizreni,  por jo vetëm ky, ka humbur dhe për çdo ditë vazhdon ta humb tokën e punueshme, ndërsa në fshatra edhe kullosat e pyjet.  Kjo përbën problem pasi në të ardhmen kur pritet të paraqiten investitor serioz, nuk do të ketë mundësi që askujt t’i ofrohet as edhe një hektar toke, e lëre më sipërfaqe më të mëdha, që zakonisht kërkojnë kompanitë serioze.

Megjithatë, në Prizren ka edhe kompani që kanë filluar të punojnë pas privatizimit dhe se prodhimtaria e tyre fillestare vlerësohet premtuese. Kompania “ABI” që privatizoi Qumështoren dhe Industrinë e Konservimit të Pemëve dhe Perimeve, kompania për pije “Fruti” ajo “Euro-food”, etj. Në fushën e ndërtimeve do përmendur kompaninë “Fat Group”, “Kabashi”, të cilat veprojnë me sukses, duke punësuar qindra punëtorë. Po ashtu ka edhe kompani të tjera më të vogla, që gjithnjë e më shumë po japin sinjale suksesi.

Gjithsesi do theksuar se në treg tashmë kanë hyrë shumë punëtorë të rinj. Një numër i tyre, po ashtu ka dalë jashtë vendit. Për të dy grupet, ndërkaq mungojnë shënimet e sakta.

/ GazetaePrizrenit.net /

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.