24-04-2024

Në Prizren përkujtohet profesori Besnik Krasniqi

Sot në Prizren, është mbajtur një akademi përkujtimore në përkujtim të njëvjetorit të vdekjes së Besnik Krasniqit, profesor në gjimnazin “Gjon Buzuku” dhe ish-anëtar i Kuvendit të Prizrenit.

Familjarë, miq, bashkëveprimtarë e përfaqësues të institucioneve të ndryshme kanë nderuar jetën dhe Krasniqit, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 63 vjeçare, raporton Gazeta e Prizrenit.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, nën patronatin e të cilit u mbajt kjo akademi përkujtimore, vlerësoi se ndarja nga jeta e profesor Krasniqit, ishte humbje e madhe për të gjithë, pasi humbëm atdhetarin dhe intelektualin e shquar të komunës sonë.

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit, Antigona Bytyçi, ka folur për biografinë e të ndjerit, për të cilin tha se një jetë të tërë ia kushtoi zhvillimit të arsimit dhe çështjes kombëtare.

Open photo

Ndërkaq, kolegu e miku i profesor Krasniqit, profesori Shefqet Çollaku, tha se edhe pse e humbëm profesorin, ai vazhdon të jetojë në kujtimet e kolegëve dhe të nxënësve.

Në emër të familjes, ka folur Arbëri, djali i profesor Besnikut, i cili ka falënderuar organizatorët dhe të pranishmit, që nuk po e harrojnë familjarin e tij të shtrenjtë.

Në kuadër të kësaj akademie përkujtimore, është shfaqur edhe një program artistik me muzikë serioze si dhe janë recituar poezi nga nxënësit, të cilat janë shkruar nga profesori i ndjerë, Krasniqi/. GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.