18-04-2024

Në Prizren rënie shqetësuese e natalitetit

Krahasuar me vitin paraprak, edhe gjatë vitit 2019 në Prizren ka rënie të natalitetit, duke vazhduar kësisoj trendi  i uljes së numrit të lindjeve.

Shqetësuese është se vitin që lamë pas, krahasuar me vitin 2018 ka dyfish më pak lindje.

Dr. Afrim Avdaj, drejtor i spitalit “Dr. Daut Mustafa” të Prizrenit, konfirmoi për portalin “GazetaePrizrenit.net” se gjatë vitit 2019 nataliteti ka shënuar rënie, meqë kanë lindur  3.118  foshnja, apo 262 më pak se në vitin 2018, kur janë regjistruar 3.380 sosh.

Kjo gjendje është tregues se numri i lindjeve nga viti në vit po shënon rënie.

Referuar shënimeve zyrtare, në vitin 2018 kishte 128 lindje më pak se sa në vitin 2017.

Drejtuesit e spitalit në një takim përmbyllës për medie kanë shpreh shqetësim për numrin e lindjeve.

Për dallim nga viti paraprak, gjatë 2019-ës ndërkaq është zvogëluar numri i lindjeve cezariane,  (me operim). Në librin e repartit përkatës janë të regjistruara 39 lindje cezariane më pak, ndërkohë që janë regjistruar 953 raste të tilla.

Në anën tjetër, zyrtarët arsimorë të Prizrenit e Suharekës, kanë thënë për “Gazeta e Prizrenit” se në harkun kohor brenda tre vitesh, për shkak të rënies së numrit të nxënësve, në këto komuna, pothuajse është shuar nga një shkollë fillore.

Pos rënies së natalitetit, një shkak tjetër që ka ndikuar në pakësimin e numrit të fëmijëve në institucionet edukative është edhe migrimi. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.