24-11-2024

Në Prizren sot shënohet “Dita e Karabashit”

Në Prizren, sot shënohet festa tradicionale e njohur si “Dita e Karabashit”, që kremtohet në kuadër të Shën Gjergjit.

Shiu që po bie nga orët e mëngjesit duket se kësaj radhe do ta zbeh atmosferën që krijohet në këtë qytet.

Qytetarë jo vetëm nga Prizreni e rrethina, por edhe me gjerë, përfshirë edhe viset veriore të Shqipërisë si zakonisht këtë ditë e shfrytëzojnë për kryer rite të ndryshme fetare,  por edhe për të shëtitur e blerë gjësende të ndryshme, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Në kontekstin e kremtes, qindra njerëz në qytet, vizitojnë varrezat e më të afërmve dhe kryejnë rite fetare në tyrbet e këtushme.

Gurabitë me pasqyre janë pjesë e adhuruar nga fëmijët në kuadër të traditës.

Kremtimi karakterizohet me lojëra të shumta, pastaj  fluks të madh të vizitorëve, kryesisht në fusha të gjëra, pranë tyrbeve, parkun e qytetit apo ndonjë vendbanimi të lasht, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Kjo festë në disa fshatra të Hasit dhe ato të Rrafshit të Dukagjinit organizohet pranë tyrbeve të shenjta, në afërsi te të cilave theren qengje.

Kremtimi i kësaj feste vazhdon deri në mesnatë, kur qytetarë të shumtë, përfshirë edhe qiftet e reja dalin për xhiro në qytet, ndërsa qendra e Prizrenit zakonisht mbushet si asnjëherë më parë.

Do theksuar se ka zëra, kryesisht nga besimi mysliman, të cilët prej vitesh janë shprehur kundër këtij kremtimi duke e vlerësuar atë si diçka të imponuar dhe të huaj./GazetaePrizrenit.net/

P.S Foto nga arkivi

Asnjë koment

Comments are closed.