05-05-2024

Në Prizren vlerësohet kontributi artistik i Din Kukajt të ndjerë

Nën organizimin e Teatrit amator dhe SHKA “Agimi” të Prizrenit, mbrëmë u përkujtua aktori, këngëtari dhe aktivisti Din Kukaj i cili ndërroi jetë, ditë më parë në moshën 58 vjeçare, shkruan shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

I ndjeri vite me radhë ishte anëtar i teatrit, duke interpretuar shumë role në dramat e përgatitura nga ky trup. Krahas kësaj ishte edhe anëtar i korit të SHKA “Agimi” një ndër më të vjetrit në Kosovë.

Kukaj po ashtu ishte ndër themeluesit dhe vokalist i bendit të njohur prizrenas “Elonida”, që ka interpretuar një numër të madh të këngëve, të cilat një kohë ishin ndër të hitet më të dëgjuar nga adhuruesit e këtij zhanri muzikor, në vitet 80-ta.

Mbahet mend kënga “Lulja ime” e cila nën interpretimin mjeshtëror të Kukaj,  pat fituar zemrën e shumë dëgjuesve nëpër aktivitet të ndryshme muzikore të asaj kohe.

Fotografia e Kujtim Germizaj

Disa herë ai pjesëmarrës i festivalit të këngës së vjetër qytetare “ Zambaku i Prizrenit”, ku edhe ishte shpërblyer.

Në mbrëmjen përkujtimore,  ku ishin të pranishëm familjar, miq e dashamirë si dhe artdashës prizrenas, kontributin e Kukajt në fushën e artit e vlerësuan poeti Salajdin Krasniqi, përfaqësuesi i tetarit, Isuf Gashi, ish-anëtari i bendit “Elonida” Bajram Gashi,  përfaqësuesi i “Agimit”, Kadri Skeja si dhe autori i teksteve të këngëve, Osman Goranci.

Emërues i përbashkët në fjalimet e tyre ishte ajo se Kukaj, kishte karakter të lartë njerëzor dhe si talent në arte, duke dhënë kontribut të çmuar shumëvjeçar në fushën e kulturës.

Për të gjitha këto, Skeja vlerësoi se Din Kukat me plot meritë i takon epiteti “Djalë i Prizrenit”./GazetaePrizrenit.net

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.