23-11-2024

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren nisi punimet Konferenca shkencore ndërkombëtare

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren të hënën ka nisur punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me tematika të ndryshme nga Shkencat e Natyrës dhe Teknologjia, Shkencat e Jetës dhe Teknologjia dhe nga Shkencat Inxhinierike dhe Teknologjia, që do të mbahet deri më 30 gusht 2019. Kjo konferencë organizohet nga UPZ me partnerët, UBT, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Isparta dhe Universiteti Ndërkombëtar i Vizionit. Në Konferencë po marrin pjesë 150 akademikë dhe Rektorë, nga Turqia, Polonia, Italia, Kroacia dhe Shqipëria.

Në kumtesë, thuhet se programi i konferencës nisi me fjalimet hyrëse të Rektorit të Universitetit të Prizrenit, Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj, Rektorit të Universitetit “Uygulamalı Bilimler” z. Ibrahim Diler. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, një fjalë rasti e mbajti Ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar.

Rektori Temaj në fjalimin e tij theksoi se është nder dhe privilegj të bëjë hapjen e punimeve të kësaj ngjarje të rëndësishme në emër të bashkorganizatorëve dhe partnerëve: UBT, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Isparta dhe Universiteti Ndërkombëtar i Vizionit.

“Gjatë këtyre ditëve ju urojmë sukses studiuesve nga vendi, rajoni dhe me gjerë, në prezantimin e punimeve me tematika të ndryshme nga Shkencat e Natyrës, Shkencat e Jetës dhe nga Shkencat Inxhinierike dhe Teknologjia”, theksoi Rektori Temaj.

Ai tha se këtë vit, kjo është konferenca e dytë shkencore që zhvillon punimet në Universitetin e Prizrenit, ndërsa shumë të tilla janë organizuar për çdo vjet që nga themelimi. “Këto ngjarje janë dëshmi që në këtë universitet është punuar dhe po punohet me përkushtim në arritjen e synimeve që i kemi vënë përpara, si universitet konkurrent serioz me universitetet brenda dhe jashtë vendit. Ndërkaq sfidat me të cilat po ballafaqohemi tani besojmë që do t’i tejkalojmë me punë së bashku”, theksoi Rektori Temaj.

Ai i falënderojë të gjithë ata që kontribuon në realizimin e kësaj konference, me të cilët shprehi besimin e tij se do të vazhdojë bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

Prezent ishin edhe Kryetari i Komunës së Prizrenit Prof. Dr. Mytaher Haskuka, Rektori i Universitetit të Izmirit Prof.Dr.Bedriye Tunçsiper, Rektori i Universitetit “Uluslararasi Vizyon” Prof.Dr. Fadil Hoca si dhe ish-deputeti dhe përfaqësuesi i komunitetit turk, Fikrim Damka.

Pas përfundimit të programit rektorët me përfaqësuesit e ERASMUS-it kanë mbajtur mbledhjen ku është diskutuar bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, realizimi i projekteve të përkrahur nga KB, BE dhe TIKA.

Qëllimi i konferencës është të kontribuojë në zhvillimin shkencor duke diskutuar studimet e shkencëtarëve që janë të përfshirë në hartimin e produkteve inxhinierike me aftësi të qëndrueshme të projektimit dhe krijimin e një ndikimi të qëndrueshëm në gjeneratat e ardhshme. Krijimi i njohurive dhe të kuptuarit përmes shkencës na bën të pajisur për të gjetur zgjidhje për sfidat e sotme ekonomike, sociale dhe mjedisore, për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm dhe më shumë shoqëri të gjelbra.

Asnjë koment

Comments are closed.