12-06-2026

U kapën në flagrancë duke shitur dr*ogë në rrugët e Prizrenit – dy të rinj përfundojnë në pranga

Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë në Prizren, pasi dyshohet se u kapën në flagrancë duke shpërndarë substanca narkotike te përdoruesit, mëson Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për H. Gashin 22 vjeç dhe R. Pirecin, të cilët, sipas Policisë, janë zënë në rrugën “Ismet Jashari” duke u shitur marihuanë dy personave që dyshohet se ishin përdorues të narkotikëve.

Te blerësit, K.B. dhe L.S., janë sekuestruar rreth një gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Sapo kanë vërejtur prezencën e Policisë, dy të dyshuarit kanë tentuar të arratisen me vrap, por pas një ndjekjeje të shkurtër, zyrtarët policorë kanë arritur t’i arrestojnë të dy.

Me urdhër të Prokurorit për Krime të Rënda dhe autorizim të Gjykatës Themelore në Prizren, janë kryer bastisje edhe në shtëpitë e të dyshuarve. Në banesën e Ramadan Pirecit nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme, ndërsa në shtëpinë e Hazer Gashit janë gjetur dhe sekuestruar pesë doza marihuanë me peshë totale prej 4.39 gramësh, si dhe një telefon mobil.

Pas intervistimit në prezencë të avokatëve mbrojtës, Prokurori kujdestar ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tyre për 48 orë.

Ndërkohë, ndaj dy personave që dyshohet se kishin blerë substancën narkotike është iniciuar procedurë e veçantë për veprën penale të posedimit të paautorizuar të narkotikëve.

Hetimet lidhur me këtë rast po zhvillohen nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Asnjë koment

Comments are closed.