Një kujtim që dhemb…
Vetëm një ditë para vrasjes së Ekrem Rexhës – Komandant “Drinit”, vëllai i tij, Ruzhdiu, sot e ka kujtuar me mall takimin e fundit me të, kur ky i fundit ishte kthyer nga Sarajeva në Kosovë, pas një kohe të gjatë pa u parë.
Një takim mes dy vëllezërve, që sot merr një peshë edhe më të madhe emocionale. Ndoshta asokohe nuk e dinin se sa i shtrenjtë do të bëhej ai kujtim. përcjell Gazeta e Prizrenit.
Drini, njeriu i dashur dhe i respektuar nga prizrenasit e shumë më gjerë, të nesërmen, më 8 maj 2000, u vra para shtëpisë së tij në Prizren. Në atë kohë, ai ishte drejtor për Ambient dhe Siguri në Komunën e Prizrenit.
Vëllait i mbeti kujtimi, ndërsa Prizrenit mungesa e një njeriu që la gjurmë në historinë e tij.

Postimi i tij:
Vrasësit nuk më lanë të çmallem me vëllanë
Më 7 maj 2000, rreth orës 15.00, një ditë para se të vritej Ekremi, prej Sarajevës arrita në Prishtinë. Në Aeroportin e Prishtinës më pritën Ekremi, vëllai tjetër Nazimi dhe djali i Axhës Vullneti. Ishte një takim përmallimi se një kohë të gjatë nuk ishim parë. Gjatë rrugës kah Malisheva e Rahoveci Ekremi m’i tregonte fshatrat, vendet dhe malet kah kishte lufuar. Tregonte si kishte depërtuar e çarë rrethimin e forcave serbe. M’u duk sikurse Ekremi nuk po shikonte rrugën kah e ngiste veturën, por malet kah kishte luftuar. Ia tërhoqa vërejtjen të kishte kujdes në vozitje.
Në shtëpi arritëm në mbrëmje, ndërsa na priti me gëzim nëna, nusja dhe nipi i vogël Drini. Ekremi më tha: “Ruzhdi, tani kam dëshirë ta shikojmë një videokasetë të luftës. Varrimin e komandant “Petritit” – Remzi Ademaj”. Iu përgjigja: “Ekrem, unë kam ardhur për t’ju vizituar juve. Ti je lodhur, shko pusho, kurse unë po dal pak t’i vizitoj axhët e miqtë. Nesër dhe ditëve tjera do të rrimë, do të bisedojmë dhe do t’i shikojmë kasetat, kështu që do të më tregosh për luftën dhe aktivitetin tënd gjatë asaj kohe”.

Të nesërmen, dita e kobshme, më 8 maj 2000, Ekremi ishte zgjuar më herët, pinte kafenë me nënën dhe nusen. Mua më zgjoi Drin i i Vogël. Afrohej ora 8.00. Ekremit i vinte keq që duhej të shkonte në punë. Po atë ditë ai duhej të shkonte me Naim Malokun në një tubim përkujtimor në rrethinën e Pejës.
Ekremi u përshëndet me djalin Drinin, lozi pak me të, u përshëndet edhe me ne. Prej shtëpisë doli pak pas orës 8.00. Kur doli te vetura, u kthye menjëherë. Tha se i kishin shpuar gomën e veturës. E porosita: “Prit pak se do ta ndërrojmë bashkë”. “Jo”, – tha , – “e ndërroj vetë” dhe shkoi te vetura.
Unë u vonova pak se u takova me dhëndrin e axhës Abaz, Naserin, derisa u përshëndet me të u dëgjuan të shtëna automatiku-rafale. E pyeta Naserin se a është kjo gjë normale të shtihet me rafale në Prizren. Edhe nusja, Hajria, i kishte dëgjuar rafalet dhe më pyeti ku është Ekremi, “Sigurisht te vetura”, – iu përgjigja. Kur dola në rrugë e pashë Ekremin të shtrirë përtokë.
Me të shpejtë iu afrova. E pashë se ende ishte i gjallë dhe e thirra: “Eki! Eki!” Pas pak e mbuloi gjaku. E shtrëngova e përqafova, nuk kisha dëshirë ta shikojnë ashtu të tjerët, sidomos nëna dhe nusja. Ato vrapuan e unë iu thashë se është pak i lënduar. Pas pak erdhi edhe vëllai Qamili. Prej rrugës kryesore erdhi një veturë dhe e dërguam në ambulancën e KFOR-it gjerman. Gjatë rrugës u mundova t’i jap frymë artificiale dhe masazh në zemër. Ia hoqa kanatieren, e pashë se në trup kishte pasur shumë plagë.
Në kanatiere i kishte mbetur një plumb. Policia më sqaroi se plumbi ka dal prej trupit të tij. Kur u vendosëm në ambulancën e KFOR-it e luta zotin që të shpëtojë i gjalë. Po lutja mbeti vetëm lutje. Menjëherë e luta KFOR-in gjerman që të marrin masa me policinë dhe me helikopter t’i ndjekin vrasësit, pasi që ua tregova tipin, ngjyrën e veturës dhe rrugën kah kanë ikur kriminelët.

Ata nuk reaguan fare. Më pyetën a ke dëshirë që t’ia shpëtojmë jetën vëllait apo t’i kapim vrasësit. Haptas iu thashë se jetën e vëllait tim nuk mund t’ia shpëtoni. “Ju lutem, nëse keni mundësi, ndërmerrni diçka së paku të kapen kriminelët”: Pjestarët e KFOR-it ma ofruan një hartë, për t’ua treguar rrugën kah kanë ikur kriminelët.
Pas pak minutave mjekët gjermanë më njoftuan për vdekjen e Ekremit dhe shprehën keqardhje që nuk mundën t’ia shpëtojnë jetën vëllait. Aty ishte vëllai Qamili, miku Sylë Millaku që na shprehu ngushllime. Në ndërkohë erdhi edhe administratori i qytetit të Prizrenit Mark Baskini, të cilin nuk e kam njohur më parë. Prej mjekëve dhe Baskinit kërkova që ta marr kufomën e Ekremit dhe ta dërgoj në shtëpi. Por ata më thanë se për shkak të hetimeve kufomën duhet ta dërgojmë në Prishtinë ose në Shkup.
Pasi u kthyem në shtëpi, rreth orës 9.00, pas se kishin ardhur shumë njerëz. Të gjithë shpresonin se Ekremi është gjallë. Por me kthimin tim në shtëpi u shuan të gjitha shpresat, pasi që ua kumtova lajmin për vdekjen e Ekremit. Së pari u shpreha ngushëllime nënës dhe nuses.

Ruzhdiu me djemtë e komandant Drinit, Drinin dhe Ekremin