Nën kërcënimin e armës ia grabitën dy telefona, dështon gjykimi pasi mungon mbrojtësi i njërit të akuzuar

Mbrojtësja e njëri të akuzuar ka munguar pa arsye duke bërë që të dështojë gjykimi ndaj Arlind Berishës dhe Fatlum Belës, të cilët ngarkohen se përmes armës ia morën të dëmtuarit telefonin e tij dhe një tjetër që e kishin porositur për ta blerë në dhjetor të 2020-ës.

Gjykatësja Teuta Krusha konntatoi se ka prova se mbrojtësja e të pandehurit Fatlum Bela avokate Myrvete Çollaku është thirrur në mënyrë të rregullt, mirëpo e njëjta prezencën e saj nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa në seancë ishin të pranishëm Prokurori i shtetit Metush Biraj, të pandehurit Arlind Berisha dhe Fatlum Bela si dhe mbrojtësi i të pandehurit Arlind Berisha avokat Hajrip Krasniqi.

Palët në seancë deklaruan se meqenëse mungon mbrojtësja e të pandehurit Bela, nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance.

Pas deklarimit të palëve, gjykatësja Teuta Krusha e shtyri seancën e sotme dhe seanca e radhës është caktuar më 16 gusht.

Ndryshe të pandehurit Fatlum Bela dhe Arlind Berisha gjenden në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës për të cilën gjykatësja Teuta Krusha do t’i drejtohet me shkrim Burgut të Dubravës për marrjen e informatave lidhur me veprën penale për të cilën ata janë në vuajtje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të datës 26.05.2021, Arlind Berisha dhe Fatlum Bela akuzohen se me kanosje serioze e përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër me qëllim që vetes së tyre t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme ashtu që fillimisht ata hapin “ Fake Account” në rrjetin social Instagram me emër “ lindimetii” dhe me foto të personit Merlind Shala e porosisin një “ Iphone 11 Pro Max” dhe vend pranimin e telefonit e lejnë në fshatin Piranë.

Më 17.12.2020 rreth orës 12 i dëmtuari V.A i cili punonte në postën e shpejt “ Express” shkon në fshatin Piranë për të dorëzuar telefonin e porositur dhe me të arritur aty, i pandehuri Arlind Berisha nga punëtori i postës së shpejtë merr telefonin e porositur “ Iphone 11 Pro Max” ndërsa i pandehuri Fatlum Bela nxjerr armën e zjarrit nga brezi ku ia drejton të dëmtuarit dhe ia merr telefonin personal të tipit “ Samsung J5” dhe largohen në drejtim të panjohur.

Për këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të grabitjes për të cilën vepër parashihet dënimi prej 7 deri në 12 vite burgim /BetimipërDrejtësi