Nënat të shqetësuara për trajtimin e personave me nevoja të veçanta
Në një takim vetëdijësues organizuar nga Biblioteka ndërkomunale në bashkëpunim me 7 Qendra të përkujdesjes ndaj personave me nevoja të veçanta në Prizren janë treguar rrëfime rrëqethëse nga disa nëna të fëmijëve, të këtyre kategorive, për trajtim joadekuat por edhe ç‘njerëzor nga punëtorë të institucioneve të ndryshme.
Pjesë e këtij takimi, përveç drejtuesve të Bibliotekës dhe Qendrave që merren me përkujdesjen e Personave me Nevoja të Veçanta, ishin edhe nëna të fëmijëve të këtyre kategorive të shoqërisë sonë. Hyrije Abdurramani, pretendon për trajtim jo të barabartë të fëmijës së saj në një nga shkollat e qytetit të Prizrenit.
Por, më prekëse ishin tregimet e disa nënave si, Miradije Çunaj e Shqipe Kryeziu, të cilat kishin lindur fëmijë me anomali të ndryshme, dhe se udhëzimet, fjalët dhe sjellja e personelit mjekësor kishin qenë të paimagjinueshme për ato.
Në anën tjetër, përgjegjësi i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren, Naim Fanaj, tha se gjendja në shëndetësinë kosovare nuk është në nivele të duhura, dhe se ai nuk ndjehej i befasuar me tregimet e këtyre nënave.
Për këtë arsye, tha ai, duhet të ketë takime të këtilla për ngritjen e vetëdijes së përgjithshme për këto çështje, u shpreh ai. Kurse, Hatixhe Morina, nënë e fëmijës së prekur nga autizmi dhe anëtare e shoqatës “ Autizmi”, thotë se familjarët e këtyre fëmijëve dhe institucionet që merren me përkujdesje të tyre në këtë komunë, po përballen më vështirësi të natyrave të ndryshme.
Ndryshe, gjatë këtij takimi që nuk mbahet mend se është mbajtur ndonjë i tillë më herët, janë mbajtur edhe ligjërata për përkujdesje të duhur ndaj personave me nevoja të veçanta, integrimin e tyre të barabartë në shoqëri etj./tvprizreni.com/