23-11-2024

Nerjovaj deklarohet i pafajshëm për korrupsion

Në seancën fillestare të së enjtes, ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, aktualisht zëvendësministër i Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Bujar Nerjovaj, është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nerjovaj, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, për vete apo për dikë tjetër.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, i akuzuari Nerjovaj, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për veprën që i ngarkohet.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fitim Shporta, ka thënë se veprimet e klientit të tij nuk përbëjnë shkelje.

“Shikuar objektivisht duke analizuar dispozitivin e aktakuzës dhe provat e parashtruara nga ana e prokurorisë, veprimet e të akuzuarit nuk përbëjnë figurën e veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarit, dhe se pafajësia e tij do të vërtetohet në procedurë të mëtejme”, ka thënë avokati Shporta.

Ai ka shtuar se në afatin e paraparë ligjor do të parashtrojë kërkesë për hudhjen e aktakuzës.

Gjykatësi Xheladin Osmani, shqyrtimin e dytë për këtë çështje e ka caktuar më 8 janar 2019, në orën 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas akuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës . /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.