Nesër merret vendimi, SBAShK-u paralajmëron grevë dyorëshe të premten
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka paralajmëruar grevë që mund të nisë që nga e premtja e 13 dhjetorit.
Greva është paralajmëruar në një mbledhje të Këshillit Drejtues të Sindikatës së Arsimit.
Kjo sindikatë ka vendosur që kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të enjten të vendosë për veprime sindikale në koordinim me sindikatën e Shëndetësisë dhe atë të Policisë.
Në mbledhje është propozuar që të premten të mbahet grevë dy orëshe e nëse Gjykata Kushtetuese e pezullon Ligjin për Paga, të nisë greva e përgjithshme.
Jasharaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që sërish të ketë grevë disa javëshe sikurse në janar të këtij viti.
“Mua më autorizuan Këshilli Drejtues që nesër të marr veprime sindikale në bazë të propozimit që e dhanë Këshilli. Përmes një komunikate nesër do të ju njoftojmë nëse do të nisë të premten greva dy orëshe. Sipas të gjitha gjasave kjo do të ndodhë”, ka thënë Jasharaj në një konferencë për media, raporton Koha Ditore.
Sipas tij, ata nuk po i bëjnë presion askujt, por po kërkojnë realizimin e te drejtave të tyre siç është paraparë në Ligjin për Paga. Kryetari i sindikatës së universiteteve publike, Bardh Bardhi ka abstenuar duke thënë se ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin veprime sindikale.